Konjufca: Seanca, dëshmi se Kosova e Shqipëria janë bashkë në çdo rrethanë
BKT
Lajme

Konjufca: Seanca, dëshmi se Kosova e Shqipëria janë bashkë në çdo rrethanë

Valmira Saraçi|RTKlive

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, që ishte i pari që mori fjalën në seancën e përbashkët kuvendare Kosovë-Shqipëri tha se kjo e dëshmon unitetin përballë sfidave politike e atyre gjeopolitike të sigurisë.

Ai tha se Republika e Kosovës po e mbyllë edhe këtë vit e sulmuar drejtpërdrejt nga elemente të cilat lidhen me Serbinë e që po e synojnë destabilizimin e brendshëm të Kosovës me metoda terroriste si dhe ato të luftës hibride.

“Sulmi që u bë para pak ditësh ndaj kanalit të ujësjellësit të Ibër-Lepencit nuk mund të konsiderohet ndryshe përpos sulm terrorist nga ata që refuzojnë ta pranojnë Kosovën si një realitet sovran dhe një rend ligjor e demokratik që nuk ka alternativë në tërë territorin e Republikës tonë. Mos të harrojmë që ky sulm i rëndë ndaj infrastrukturës sonë kritike të furnizimit me ujë dhe energji vjen një vit pas sulmit tjetër të rëndë që e përjetoi Republika jonë e që ishte sulmin në Banjskë, organizatori dhe mbështetës i këtij sulmi është Radoiçiqi dhe i mbështetur drejtpërdrejt nga presidenti Vuçiq e i cili mbetet ende i pandëshkuar nga drejtësia në Serbi e cila pothuajse nuk ekziston fare”, tha kryekuvendari Konjufca.

Prandaj sipas tij, ky përbashkim në këtë seancë mes dy vendeve përbënë më shumë sesa simbolikën e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve.

 Ai tha se kjo seancë duhet të shihet si dëshmi  që Kosova e Shqipëria janë me njëra- tjetrën në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht.

 E falënderojmë Kuvendin e Qeverinë shqiptare që ka qenë e zëshme për mbrojtjen e interesave të Kosovës, shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“E drejta e Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të saj nuk mund të konsiderohen cenim i fqinjësisë së mirë e as përshkallëzim i raporteve me fqinjët. Është Serbia ajo që nuk na e pranon as statusin e fqinjit, por ambiciet e saj hegjemoniste vazhdon t’i ketë të koduara edhe në kushtetutën e saj. Nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë pa pasur njohje reciproke si dy subjekte sovrane që nuk e kontestojnë njëra tjetrën. Vetëm kjo është zgjidhja për relacionin mes Kosovës e Serbisë, dhe jemi të bindur se kjo do të ndodhë sepse e kemi në krah Republikën e Shqipërisë”, tha ai.


MË SHUME NGA Lajme