Çollaku: Është jetike që Tirana dhe Prishtina të flasin me të njejtin zë
BKT
Në Fokus

Çollaku: Është jetike që Tirana dhe Prishtina të flasin me të njejtin zë

G.K/RTKlive

Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë mbajtën sot një seancë të përbashkët në Prishtinë, ku të dyja palët u zotuan të ndihmojnë njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare. Deputeti nga Shqipëria, Kreshnik Çollaku, e cilësoi këtë mbledhje si një moment historik dhe shumë emocional.

Çollaku theksoi rëndësinë e mesazheve të qarta që u dhanë gjatë seancës, duke e vlerësuar këtë si një hap në kohën dhe vendin e duhur.

“Është një moment jashtëzakonisht emocional, por mendoj se u dhanë mesazhe të qarta. Mesazhi i madh u dha në vendin e duhur dhe në kohën e duhur,” deklaroi ai.

Megjithatë, Çollaku sugjeroi që këto takime të mos mbeten ceremoniale, por të kalojnë në një nivel më të institucionalizuar.

“Duhet që këtë bashkim të dy parlamenteve ta institucionalizojmë. Të krijohen institucione të përbashkëta të parlamenteve tona, që të nxisin më tej unifikimin e politikave tona,” tha ai.

Çollaku shprehu pakënaqësi ndaj fjalimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke e quajtur atë një provokim ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“E vetmja gjë që nuk më pëlqeu, që mendoj se tentoi të prishte festën, ishte fjalimi i Ramës. Ishte një fushatë elektorale kundër kryeministrit Kurti,” deklaroi deputeti demokrat.

Nevoja për Unifikim të Politikës së Jashtme

Lidhur me deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga të dy kuvendet, Çollaku theksoi rëndësinë e unifikimit të politikës së jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Na duhet unifikim i plotë i qasjes sonë, i të folurit kudo me të njëjtën gjuhë dhe me të njëjtat qëndrime, qoftë në raport me Serbinë, qoftë me rajonin apo me qendrat e mëdha vendimmarrëse si Uashingtoni dhe Brukseli,” tha ai.

Mes tjerash Çollaku kritikoi disa nga qëndrimet e Shqipërisë ndaj Kosovës, duke përmendur temat si “Open Balkan” dhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Shqipëria shpesh ka vënë Kosovën në pozitë të vështirë, duke tentuar ta anashkalojë Prishtinën dhe ta projektojë si një element të marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Në fakt, Kosova është epiqendra e këtyre marrëdhënieve", tha ai.


MË SHUME NGA Në Fokus