Kurti: Sulme të tilla pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt
BKT
Lajme

Kurti: Sulme të tilla pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt

V.S|RTKlive

(E plotësuar) Kryeministri i vendit Albin Kurti ka paralajmëruar për mundësinë e sulmeve të tjera terroriste, para dhe pas vitit të ri.

“Kësi metodash të sfidimit të sigurisë së Kosovës që për pasojë kanë jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve etike, pastaj shkaktimin e panikut tek qytetarët e krijimin e një imazhi të një vendi jo stabil, pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt, veçmas para e pas vitit të ri”, tha Kurti në konferencë për media.

Por, tha shefi qeveritar, janë të përkushtuar që edhe këtë metodë të mbetur të Serbisë ta neutralizojnë maksimalisht, përkundër faktit që sulme të tilla terroriste janë sfiduese edhe për shtete të fuqishme.

Kurti që në këtë konferencë shpalosi shumë detaje që tha se janë të siguruara nga inteligjenca, prapa urdhrit për sulmin me eksploziv në kanalin e Ibër- Lepencit qëndron Radoiçiqi dhe grupi i tij terrorist që po strehohet e po mbështetet nga Serbia.

“Bazuar në të dhënat e deritashme janë përfshirë dy grupe në kuadër të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile” e cila financohet nga Serbia dhe trajnohet në vazhdimësi atje. Grupi i parë ka ofruar mbështetje logjistike në terren, ndërkaq grupi i dytë disa persona profesionist ku besohet se ka pasur edhe persona nga struktura të caktuara të sigurisë së Serbisë, të afërt me Milan Radoiçiqin janë përfshirë në realizimin e sulmit. Deri tani janë evidentuar komunikime të koduara në mes të disa pjesëtarëve të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile” që ndërlidhen me rastin. Të dhënat janë duke u trajtuar nga institucionet relevante të sigurisë në kuadër të hetimeve”, vijoi ai.

Kryeministri tha se për dallim nga sulmi në Banjskë ku Radoiçiq mori pjesë personalisht duke drejtuar grupin, kësaj radhe ai ka ndërmarrë veprime të caktuara duke tentuar shfajësimin e vetës.

“Paraprakisht ka ndërtuar alibinë duke përcaktuar një takim me anëtarë të Listës Serbe në ditën e sulmit, konkretisht nga ora 17:00-19:00, dy orë para sulmit në Ibër-Lepec, Radoiçiqi cakton takim me Listën Serbe. Pas sulmit ka realizuar telefonata, takime e në bashkëpunim me struktura të larta të shtetit në Serbi ka ndërmarrë veprime të ndryshme fabrikuese me synim fshehjen e përgjegjësisë së tij, përkatësisht Serbisë”, tha ai.

Kurti tha se pas sulmit, Radoiçiq ka shprehur pakënaqësi lidhur me rezultatet e sulmit, pasi që pritjet e tij ishin që kanali të dëmtohej tërësisht dhe pakthyeshëm.

Kurti: Radoiçiq caktoi njerëz të afërt të tij për sulmet terroriste

Terrorizmi i sponsorizuar nga Serbia dhe përgjegjësia e shtetit serb për sulmet në Kosovë, ishte tema për të cilën kryeministri i vendit Albin Kurti doli në një konferencë për media në orët e pasdites.

Ai tha se sulmi me eksplozivë në kanalin e Ibër- Lepencit më 29 nëntor ku u dëmtua tërësisht kanali ka pasur për qëllim paralizimin e jetës ekonomike dhe energjetike në Republikën e Kosovës si dhe shkaktimin e trazirave që do të vinin si pasojë dhe ku do të rrezikohej siguria nacionale në Kosovë dhe do të provokohej situata në rajon.

“Refuzimi i Beogradit zyrtarë për ta dorëzuar Milan Radoiçiqin, përgjegjësin kryesor për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 që ka pasur për qëllim okupimin e pjesës veriore të shtetit tonë, ka qenë inkurajim i grupit terrorist që i prinë Radoiçiqi për të vazhduar me akte të tjera subversive, diverzive ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror të Republikës sonë. Strehimi i i Radoiçiqit në Serbi, përkrahja që i ofron atij Beogradi zyrtarë me infrastrukturë për trajnim të grupit terrorist, autorizimi i përgjegjësive që i ka falur kreu i shtetit serb atij, edhe për kontrollin faktik e politik të serbëve të Kosovës, nuk mund të quhet ndryshe përveçse koordinim i shtetit të Serbisë me Milan Radoiçiqin dhe grupin e tij terrorist për të zhvilluar më tej luftën hibride kundër Republikës së Kosovës. Republika jonë ka shtrirë sovranitetin e sigurinë ne veri të vendit nëpërmjet kushtetutshmërisë e ligjshmërisë. Tashmë nuk mund të sfidohet përmes grupeve të modelit rus “Little green man” apo “Njerëzit e vegjël të gjelbër”, tha kreu i qeverisë, raporton RTKlive.

Megjithatë, sipas Kurtit politikat agresive të Serbisë nuk po ndalen me sulme të tjera terroriste, por të organizuara në grupe më të vogla dhe në forma më të fshehta.

“Që nga qershori i vitit 2024 kur edhe kanë filluar të shpërndahen posterë me fytyrën e presidentit serb me mbishkrime që “komandant suprem, ju presim”, gradualisht është përshkallëzuar situata në 4 komunat në veri përmes grupeve të vogla të lidhura direkt me Radoiçiqin. Sipas informacioneve që posedojnë institucionet e sigurisë në Kosovë, Radoiçiq ka caktuar dy persona të afërt të tij, për të realizuar sulme në veri përmes grupeve të tyre të cilët kanë marr pjesë edhe në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe strehohen në Serbi, dhe këta dy persona janë Nemanja Radivojeviq me nofkën "Gandi" dhe Vladimir Radivojeviq me nofkën "Mami”, tha Kurti.

Kurti: Nuk duhej të pritej qëndrim tjetër nga anëtarët e LVV-së në KQZ

Kreu qeveritar u pyet edhe për mos certifikimin e Listës Serbe nga KQZ-ja. Tha se askush nuk ka mundur të presë një qëndrim ndryshe nga anëtarët e Lëvizjes në KQZ.

Sipas tij, Lista Serbe po e përfaqëson shtrirjen e gjerë dhe shkallen e lartë të ndërhyrjes së Serbisë në punët e brendshme të Kosovës dhe zgjedhjet demokratike.

“Ju të gjithë e dini që LVV-ja aty ka 2 nga 11 anëtarë, ndërkaq për certifikim kanë mjaftuar 8 vota. Askush nuk ka mundur të presë që mund të jetë ndryshe qëndrimi i përfaqësuesve të LVV-së në KQZ. Le të mos harrojmë që edhe para sulmit terrorist në Banjskë, Lista Serbe ka qenë fort problematike, dhe përshkallëzimi i situatës kur ata me urdhër nga Beogradi dhanë dorëheqje nga policia, gjyqësori, dhe nga parlamenti me 5 nëntor 2022. Kur kësaj ia shtojmë sulmin terrorist në Banjskë i kryer nga nënkryetari i Listës Serbe i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë de -fakto shefi i Listës Serbe, sepse eksponentë në krye me Zllatan Ellek që është kryetar, takohen me Radoiciqin në Serbi, marrin instruksione, më saktë urdhra prej tij. Është e qartë se qëndrimi ynë si Lëvizje që  kemi përfaqësuesit në KQZ nuk ka mundur të jetë ndryshe. Ne, në të njëjtën kohë kemi alarmuar edhe çfarë po ndodhë. E kemi policin e varë, i kemi fëmijët e tij jetimë. Qëndrimi negativ, veprimet destruktive dhe sjellja penguese e Listës Serbe ndaj Republikës së Kosovës janë të njohura për të gjithë”, tha ai.

Kurti tha se Lista Serbe është dega më besnike e partisë shtet në Serbi dhe bojkoti i tyre ndaj Kuvendit të Kosovës pati nisur pikërisht me urdhër nga Beogradi.

“Lista Serbe në pikëpamjen time, e unë besoj edhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe serbët këtu, nuk është shprehje e organizimit politik të serbëve në Kosovë, por është diktat i Beogradit. Lista Serbe asnjëherë nuk është distancuar nga sulmi terrorist në Banjskë. Për aq kohë sa Radoiçiq nuk dorëzohet tek autoritete e Kosovës, Lista Serbe do të jetë krahu politik i Milan Radoiçiqit dhe terrorizmit shtetar serb. Lista Serbe është pengesa e vërtetë e integrimit të serbëve”, tha Kurti .

 


MË SHUME NGA Lajme