Emisioni “Gjurmë”, dokumentar për Shkurte Fejzën
K. K. / RTKlive
Emisioni “Gjurmë” i RTK-së ka transmetuar dokumentarin për Shkurte Fejzën. Folës ishin disa personalitete të ndryshme të cilët e vlerësuan lart figurën e saj duke e cilësuar personalitet të papërsëritur.
Në vitin 1979 Shoqëria Kulturore-Artistike “Afërdita” e Mushtishtit e kishte realizuar një program të cilin e kishte transmetuar Televizioni i Prishtinës, në të cilin program Shkurte Fejza kishte arritur të bëhej figurë e çmuar publike.
Shkurte Fejza, duke kujtuar atë kohë, për RTK-në tregoi se ishte festë në fshat dhe, po ashtu, me emocione rrëfehet kur kujton nënën dhe thotë se “ishte shumë krenare për mua dhe iu dukesha më e mira”.
Ndër të tjera, Fejza tha se këngët tona, që ishin me përcaktim kombëtar, mua më përshtateshin shumë dhe gjetën dashamirët e Kosovës dhe kudo ishin këngë me motive atdhedashurie, të cilat motivuan dhe ndërgjegjësuan shumë të rinj për lirinë e Kosovës e cila mungonte në atë kohë.
Kurse bashkëshorti i saj Hajrush Behluli tha se lidhja me Shkurten ka qenë më shumë organike, shpirtërore, kështu që” kjo puna e këngës u bë program i ynë dhe këtë program pastaj e kemi zhvilluar bashkë”.
Ndër të tjera, ajo rrëfeu edhe për sfidat që ka kaluar, duke treguar për largimin nga puna e mësimdhënies dhe se si shkak I repertuarit patriotik kishte bërë që të përndiqej nga regjimi dhe të denohej.
Fejza për këngën “Oj Kosovë oj nëna ime” tha se në vitin 1989 është realizuar, duke theksuar se ka shkuar mbi një milion kaseta që janë edituar sepse, siç tha ajo, është pritur jashtëzakonisht mirë për shkak të rrethanave që atëkohë ndodhnin në Kosovë.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, tha se Shkurta përkon me rezistencën tonë për barazi, dinjitet, çlirim dhe në fund shtetformim.
Ndërsa Zef Çoba, kompozitor, tha se Shkurta është një individualitet artistik dhe individualitetet janë të papërsëritshme, krejt origjinale.
Kurse Naim Gjoshi, kompozitor, theksoi se Shkurte Fejza është këngëtare e popullit ndaj edhe quhet këngëtare e popullit
Naim Krasniqi, kompozitor për RTK-në theksoi se Shkurta ka bërë që njerëzit janë rritur edukuar me atë këngë.
Për këngën “Mora fjalë”, kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari, Fejza thotë se ka qenë privilegj ta këndojë atë këngë.
“Ngjarja e familjes Jashari secilit prej neve na krijon dhimbje, sepse është një familje që ka rënë për lirinë e vendit, e për mua ka qenë një emocion i përzier me dhimbje dhe krenari”, shtoi ajo.























