Xhemaj: Historitë e spiunazhit, interesante për lexim
K. K. / RTKlive
Bashmir Xhemaj, autor i librit “Ciceroni shqiptar i Hitlerit: historia e prishtinasit Iljaz Bazna - Cicero”, ka theksuar libri është një biografi për prishtinasin e emigruar në Turqi, i cili u bë një nga karakteret më intriguese në botën e spiunazhit përgjatë Luftës së Dytë Botërore e që në sytë e britanikëve ishte jo më shumë se një shërbëtor i thjeshtë, por për gjermanët, Iljaz Bazna shpejt u bë Cicero.
Xhemaj në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë”, në RTK ka thënë se historitë e spiunëve çdoherë janë interesante jo vetëm në kohën kur ata jetojnë ose veprojnë, por edhe pas 50 vitesh.
Po sipas tij, “jo vetëm në letërsinë shqipe, por kudo në botë historitë e spiunazhit çdoherë janë të rëndësishme, interesante për lexim, veçmas kur flitet për shqiptarët”.
“Për personazhin Iljaz Bazna është shkruar edhe jashtë. Ka pasur botime aty-këtu, por tek ne, në mediet tona, ka ardhur me artikuj të shkëputur, artikuj portalesh. Madje edhe tek ato ka pas mitizime. Po ato kanë qenë një lloj shtytje shumë e fortë që të hyj të hulumtoj e ta sjell në një pikëpamje shqiptare, sepse ai asnjëherë nuk e ka mohuar që është shqiptar”, ka theksuar Xhemaj.
Ai ka thënë se është shumë interesante historia e tij.
“Deri në vitet pesëdhjetë pas Luftës së Dytë Botërore asgjë nuk është ditur për të. Ka një libër për të që tregon historinë e tij dhe në atë kohë është bërë edhe një film, është mitizuar pak a shumë figura e tij”, ka thënë ai dhe bëri me dije se paratë që ka marrë Bazna prej gjermanëve kanë dalë të jenë false.
“Ka qenë një zhgënjim i madh i Ciceronit. Kurrgjë s’ka fituar vetë përpos famës”, ka thënë ai.























