Motta i zhgënjyer pas barazimit me Atalanta
Uran Krasniqi / RTKLive
Trajneri i Juventusit, Thiago Motta, ka shprehur zhgënjimin e tij pas barazimit 1-1 ndaj Atalanta të martën.
Aktualisht Juventus gjendet vetëm në pozitën e pestë në tabelën e Serie A të kryesuar nga Napoli.
Pas ndeshjes, Motta ka thënë se performanca ishte e mirë, por paaftësia për të shënuar ka bërë që rezultati të mos përmbushë pritjet.
"Është e qartë se nuk mund të jemi të kënaqur me rezultatin; dalim në fushë për të fituar. Luajtëm mirë, krijuam disa situata interesante, por nuk ishim mjaftueshëm të aftë për të shënuar", ka thënë Motta.
Pavarësisht përpjekjeve të lojtarëve, barazimet e shumta këtë sezon kanë ndikuar negativisht në pozicionin e Juventusit. "Është e vërtetë që kemi barazuar shumë këtë sezon dhe nuk jemi të kënaqur me këtë. Nuk mund të jemi të kënaqur me një barazim. Megjithatë, lojtarët dhanë maksimumin dhe performanca ishte e mirë. E pranoj përpjekjen dhe angazhimin e tyre", ka shtuar Motta.
Juventus tashmë përgatitet për sfidën e ardhshme kundër Milan.























