Haradinaj kujton Skënderbeun dhe vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën
N.M. /RTKlive
Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, në 557 vjetorin e vdekjes ka kujtuar heroin Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Haradinaj njëherësh ka kujtuar edhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në 43 vjetorin e rënies së tyre.
Haradinaj në një postim në Facebook, ka thënë se 17 janari shënon një datë historike për kombin tonë - ditën kur para 557 vjetësh pushoi së rrahuri zemra e kryeheroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, themeltar i bashkimit kombëtar që na la amanetin e pathyeshëm të lirisë.
“Po në këtë ditë, 43 vjet më parë, ranë heroikisht Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, arkitektët e pavarësisë që u flijuan për idealet shqiptare”, ka shkruar ai.
Haradinaj tutje ka thënë se trashëgimia e këtyre burrave të mëdhenj, “përfshirë edhe deputetin Smajl Hajdaraj të cilin e përkujtojmë sot në 23-vjetorin e ndarjes nga jeta, gjendet e gjallë në çdo përpjekje tonën për një Kosovë më të mirë”.
“Nga Skënderbeu që na mësoi forcën e bashkimit, e deri te dëshmorët që e vulosën me gjak këtë liri - të gjithë na lanë një mësim të pathyeshëm: bashkimi dhe sakrifica për atdhe janë rruga e vetme drejt përparimit kombëtar. Lavdi!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.























