KPM zgjedh Berishën kryetar, tri ditë para skadimit të mandatit të Mehmetit
Arbana Hajredinaj / RTK
Tri ditë para se t’i skadojë mandati kryetarit të Komisionit të Pavarur për Medie, Jeton Mehmeti, i është gjetur zëvendësimi.
Në mbledhjen e sotme KPM ndryshoi rregulloren e punës, e cila mundësoi zgjedhjen e Besnik Berishës kryetar të KPM-së me katër vota pro dhe një votë të pavlefshme.
“Për të qenë të përgjegjshëm që me sigurua vazhdimësinë e kryesisë së KPM edhe pas mbetjes pa kuorum edhe pas datës 20 janar e kemi propozua një paragraf i cili është analog me atë që e ka zbatuar Gjykata Kushtetuese që ndoshta do të duhej të ishte shembulli më i mirë për neve”, ka thënë Besnik Berisha.
Pas zgjedhjes së Besnik Berishës kryetar të ri të Komisionit të Pavarur për Medie, kryetari aktual Jeton Mehmeti, cili ka mandat deri të martën, ka refuzuar ta vazhdojë drejtimin e mbledhjes duke lëshuar sallën.
“Duke qenë se me shumicë të votave anëtaret e KPM kanë zgjedhur një anëtar të ri, unë nuk ndjej siguri juridike për të vazhduar mbledhjen sepse nuk mund të jemi në një sallë si dy kryetarë, dhe për mua mandati im si kryetar i KPM merr fund këtu, nëse thërrasim mbledhje tjetër mund të marr pjesë si anëtar”, ka thënë Mehmeti.
Pas kësaj ka reaguar edhe AGK- Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Në fillim të janarit, Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, i pati kërkuar Kuvendit të Kosovës që t’i zgjedhë anëtarët e rinj të KPM-së dhe Televizionit Publik, por një gjë e tillë nuk ishte bërë për shkak të fillimit të fushatës zgjedhore.























