Strohmeyer: Kishte incidente dhe kërcënime personale
BKT
Gjykata Speciale

Strohmeyer: Kishte incidente dhe kërcënime personale

Donika Sherifi|RTK

Dëshmitari Hansjeorg Strohmeyer, ish-këshilltar juridik i UNMIK-ut, Hansjeorg Strohmeyer gjatë dëshmisë së tij në procesin gjyqësorë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë s ka thënë se ka parë se gjatë misionit të tij në Kosovë kishte incidente. Ai ka thënë se ka qenë i informuar edhe për kërcënime personale ndaj personave që nuk ishin shqiptarë.

“Nuk e di nëse ka pasur gjëra të tjera, por ishim të informuar edhe për kërcënime personale për persona që ishin jo shqiptarë”, ka deklaruar Strohmeyer. Ai ka sqaruar se nuk ishte roli i tij që të shënjonte incidente të tilla, por që nga pozicioni i tij kishte ndërveprime dhe kishte mundësinë që t’i shihte këto gjëra.

Gjatë dëshmisë, Strohmeyer ka thënë se prej një takimi në Hotel “Grand” ishin të informuar se ekzistonte ambicia për krijimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

“Mund ta them që zoti Thaçi ishte aty dhe kishte persona të tjerë të pranishëm në sallë. Nuk më kujtohet saktësisht se kush ka qenë, por besoj që ka qenë edhe zoti Selimi nëse nuk gabohem. Megjithatë, jam i sigurt që zoti Thaçi e ka bërë prezantimin e kësaj ambicie. Që prej atij momenti e në vijim, ne ishim në dijeni të faktit që ekzistonte ambicia e kësaj pjese ose këtyre individëve që të paktën ishin aty për krijimin e Qeverisë ose mbase edhe ambicia e UÇK-së që të krijohet një Qeveri e Përkohshme që ishte e ndryshme  nga administratat që mendonim të krijonim ne sipas Rezolutës 1244. Sa i takon arsyes se pse ishte krijuar, ekzistonte përshtypja jonë se kjo ishte një lëvizje për të projektuar prej tyre dhe me kërkesë të tyre dhe një administratë që do ishte në kontrollin e tyre. Kjo ishte përshtypja”, u shpreh ai.

Ai ka mohuar se ka dijeni që Qeveria e Përkohshme ishte themeluar në bashkëpunim me Ibrahim Rugovën. Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari ka mohuar se ka qenë në dijeni që Qeveria e Përkohshme e Kosovës ishte me përkrahjen e ShBA-së.

Si rrjedhojë, avokati Mishetiq e ballafaqoi Stohmeyer me deklaratat e mëhershme, ku kishte thënë se Qeveria e Përkohshme e Kosovës ishte formuar njëanshëm. Ai ka theksuar se në atë kohë ashtu ishte përshtypja e tij.

Strohmeyer fillon dëshminë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimi ka nisur dëshminë e tij, dëshmitari i 114 Prokurorisë, Hansjoerg Strohmeyer. Sipas prokurorisë, dëshmitari ka shërbyer në Kosovë si këshilltar juridik në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë nga qershori deri në shtator të 1999-ës.

“Dëshmitari W02183 ka qenë këshilltar juridik në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë nga qershori deri në shtator të 1999. Dëshmitari W2183 do të japë dëshmi për situatën që ka parë në Kosovë kur ka mbërritur dhe takimet që ka pasur me udhëheqësit e UÇK-së dhe çështjet që kanë diskutuar së bashku. Dëshmitari W02183 do të japë dëshmi për njësitet policore të UÇK-së, autoritet lokale dhe tensionet që kanë pasur UNMIK-u me qeverinë e përkohshme të Kosovës”, ka theksuar prokurorja gjatë prezantimit të dëshmitarit.

Dëshmitari ka theksuar se gjatë punës së tij në Kosovë kanë pasur dy vështirësi: si të ushtrohej autoriteti i UNMIK-ut në zonat që kontrollonte UÇK-ja dhe e dyta ishte rendi publik dhe ofrimi i shërbimeve jetike.

Sipas Strohmeyer, gjatë kësaj periudhë situate ka qenë më e tensionuar në Prizren, se sa në pjesët tjera të Kosovës.

Prokurorja paraqiti një raport që sipas saj mbante datën 16-17 qershor 1999 e që fliste për disa serbë që janë takuar me anëtarë të OSBE-së dhe kanë kërkuar ndihmë sa i takon rrëmbimeve të pretenduara të anëtarëve të tyre nga UÇK-ja.

Sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari është parashikuar që të zgjasë rreth dy ditë. Ai tha se Prokurorisë i nevojiten një orë e gjysmë, ndërsa ekipet e mbrojtjes kanë parashikuar gjashtë orë për kundërpyetje.

Përpara kësaj, trupi gjykues foli për një kërkesë të Prokurorisë që dëshmitari W02714 të dëshmojë përmes video-lidhjes për nesër paradite. Mbrojtja e Thaçit dhe Selimit nuk patën kundërshtime. Ndërsa, ajo e Krasniqit dhe Veselit kanë theksuar se do të përgjigjen nesër.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale