Bërxulli: Në fokus bashkëpunimi me psikologët socialë të universiteteve
BKT
Lajme

Bërxulli: Në fokus bashkëpunimi me psikologët socialë të universiteteve

K. K. / RTKlive

Dashamir Bërxulli, profesor në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, është shpallur ambasador i Psikologjisë Sociale. Ai në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, theksoi se do të fokusohet në bashkëpunimin me psikologët socialë të universiteteve publike në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

Sipas tij, ka një pëlqim me kolegët akademikë për ta ngritur psikologjinë më lart, për të bërë takime, për të bërë një forum të vazhdueshëm bashkëpunimi dhe për të bërë iniciativa specifike të psikologjisë sociale të edukimit, të cilat e rrisin nivelin e fushës edhe për shoqërinë.

Në sensin e objektivave që ka pasur Kosova, si politikë e shtetbërjes dhe forcimit të shtetit, ai tha se kemi arritje shumë të mëdha në Kosovë, por sipas tij nga pikëpamja e marrëdhënieve sociale, në kuptimin e marrëdhënieve midis njerëzve e grupeve, është e nevojshme për të komunikuar më shumë.

“Psikologjia sociale është një fushë që ka të bëjë me individin dhe shoqërinë, ka të bëjë me marrëdhëniet midis njerëzve se si të tjerët na ndikojnë neve dhe si ne u ndikojmë atyre. Është shumë e rëndësishme të përmirësohen marrëdhëniet ndërpersonale në ambientin tonë në mënyrë që të rritet kohezioni social”, tha Bërxulli.

Ndër të tjera, ai theksoi se është e nevojshme për shoqërinë tonë, e cila ka dalë nga lufta, të trajtojmë probleme të shëndetit mental.

Të rikujtojmë se Shoqata Evropiane e Psikologjisë Sociale ka përzgjedhur Dashamir Bërxullin një nga ambasadorët e Psikologjisë Sociale për periudhën 2025-2026. Bërxulli do të udhëheqë aktivitete që do ta rrisin rolin dhe vizibilitetin e kësaj disipline shkencore në rajon. Pjesë thelbësore e këtij roli ambasadorial është bashkëpunimi i ngushtë me homologët që ligjërojnë psikologjinë sociale në disa universitete shqiptare në rajon, përfshirë Universitetin e Tiranës, Universitetin “Aleksandër Moisiu“ nl Durrës, Universitetin e Tetovës, Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë dhe Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.


MË SHUME NGA Lajme