Maqedonci: Letra për KFOR-in nuk është rizotim, por sqarim
BKT
Lajme

Maqedonci: Letra për KFOR-in nuk është rizotim, por sqarim

G.K/RTKlive

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka sqaruar se letra dërguar Komandantit të KFOR-it lidhur me ngjarjen e 24 nëntorit 2024, kur Garda Ceremoniale ishte angazhuar në veri, nuk paraqet rizotim, por vetëm një sqarim për rrethanat e angazhimit të FSK-së.

"Qëllimi i letrës është sqaruar edhe më parë dhe ai mbetet i vlefshëm sepse është i vërtetë. Letra është dërguar me qëllim që t’i sqarohen Komandantit të KFOR-it rrethanat e angazhimit të një njësie të FSK-së në njërën nga komunat në veri të vendit dhe ta sigurojë atë që nuk ka pasur për qëllim në asnjë rast tensionimin e situatës," shkroi Maqedonci në Facebook.

Ai theksoi se angazhimi i FSK-së në veri bazohet në një zotim të vitit 2013 nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, i cili përcakton kushtet e operimit dhe koordinimit të FSK-së me KFOR-in.

"Ritheksoj, siç e kam thënë edhe më parë, që nuk pajtohem personalisht me atë zotim, pasi vazhdoj ta konsideroj si të gabuar dhe të dëmshëm për ushtrinë tonë, me pasoja afatgjata. Megjithatë, si Ministri e Mbrojtjes dhe Qeveri e Kosovës, do ta respektojmë atë, për aq kohë sa është në fuqi," shkroi Maqedonci.

Ai shtoi se përgjegjësia aktuale e institucioneve dhe KFOR-it është të sigurojnë që angazhimet ushtarake në veri të bëhen në mënyrë të koordinuar.


MË SHUME NGA Lajme