Muzeu i Fëmijëve të Luftës, hapësirë alternative e kujtimit
BKT
Kulturë

Muzeu i Fëmijëve të Luftës, hapësirë alternative e kujtimit

E.H / RTKlive

Muzeu i Fëmijëve të Luftës, i cili u hap ditë më parë është një hapësirë alternative e kujtimit që flet për fëmijët dhe ndërprerjen e fëmijërisë së tyre në vorbullën e padrejtë të luftës në Kosovë.

Kështu thuhet në njoftimin nga organizata joqeveritare Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut - Kosovë (YIHR KS) që hapi këtë muze.

 “Muzeu si i tillë vë theksin në përvojat e margjinalizuara të luftës si mënyrë për të kujtuar denjësisht të kaluarën dhe për të sjellë drejtësi simbolike duke njohur këto eksperienca. Pas 5 viteve punë të palodhshme, e hapëm Muzeun e Fëmijëve të Luftës, me ekspozitën e parë, “Loja e Ndërprerë”  e cila na ktheu pas në jetën e fëmijëve që i mbijetuan luftës - na dërgoi te ikja, frika, fshehja, loja, dhe emocionet komplekse që vetëm lufta mund t’i sjell”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se kjo ekspozitë, e ky muze, mbi të gjitha është një homazh për të gjithë ata që përjetuan tmerret e luftës e ju mbijetuan atyre pavarësisht etnisë apo përkatësisë së tyre.

“Për ne si YIHR, ndarja e këtyre tregimeve ka një rëndësi të veçantë. Këto histori nuk janë vetëm të se kaluarës; ato janë edhe të së ardhmes tonë, sepse vetëm duke i njohur ato, mund të shmangim ripërsëritjen e tyre.Ne synojmë që ky muze të jetë një hapësirë ku thyhet heshtja, ndërpritet harresa ndaj këtyre kujtimeve dhe bëhet thirrje e fuqishme për reflektim, drejtësi e pajtim", thuhet në njoftim.

YIHR ka falënderuar për kontributin e tyre në ekspozitë artistin Petrit Halilaj dhe poeten Ervina Halili.

Ky muze - i pari i tillë në Kosovë do të jetë i hapur për publikun në vazhdimësi.


MË SHUME NGA Kulturë