Aksident i rëndë në Çubrel, tre persona humbin jetën
B. H. | RTKlive
Tre persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku në magjistralen Mitrovicë-Pejë, konkretisht në fshatin Çubrel.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura.
“Situata është rënduar pas aksidentit në Çubrel, me tri viktima deri tani të konfirmuara nga Policia e Kosovës. Thellësisht i prekur nga ky aksident ku u shuan tri jetë. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen familjeve”, shkroi ai në Facebook.
Ndërkohë, rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës përmes një komunikate, e ku është bërë e ditur se aksidenti ka ndodhur mes një veture zyrtare të policisë dhe një veture civile.
“Sonte rreth orës 18:40, është raportuar për aksident trafiku me pasoja fatale, i cili ka ndodhur në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, segmenti rrugor në fshatin Çubrel të Skenderajt. Në këtë aksident janë përfshira dy vetura, njëra prej tyre veturë zyrtare e policisë. Si pasojë e aksidentit, bazuar në informacionet e siguruara kanë humbur jetën tre persona civil, përderisa lëndime kanë pësuar edhe pesë persona tjerë, katër prej tyre zyrtarë policor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Tutje theksohet se njësitë policore dhe stafi menaxhues kanë dalur në vendin e ngjarjes, ndërsa për hetimet dhe shkaqet e aksidentit po merren hetuesit e njësitit rajonal të trafikut rrugor.
“Lidhur me rastin janë njoftuar institucionet kompetente, IPK-ja dhe Prokurori kompetent të cilët pritet të dalin në vendin e ngjarjes”, thuhet tutje në njoftim.























