Kurti e Konjufca ngushëllojnë familjarët e viktimave në Çubrel
BKT
Lajme

Kurti e Konjufca ngushëllojnë familjarët e viktimave në Çubrel

B. H. | RTKlive

Kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave në aksidentin e sotëm në Çubrel, ku humbën jetën tre persona.

“Lajmi për aksidentin e trafikut ku 3 persona humbën jetën në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë na jep dhimbje të madhe. Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë ngjarje trishtuese, duke iu drejtuar familjarëve të viktimave, e duke shpresuar që të kenë forcën për ta përballuar humbjen e tyre, e njëkohësisht uroj shërimin sa më të lehtë dhe sa më të shpejtë për 5 të lënduarit e këtij aksidenti”, ka shkruar kryeministri në Facebook.

Ai tutje ka thënë se shumë shpejt do ta kenë një pasqyrë edhe më të plotë për rastin, teksa ka bërë thirrje për kujdes të përgjithshëm në komunikacionin automobilistik, për të evituar sa më shumë fatkeqësitë.

Ndërkaq, kryeparlamentari Konjufca tha se është thellësisht i tronditur me humbjen e tri jetëve në aksidentin e sotëm në magjistralen Mitrovicë - Pejë.

“Familjarëve të viktimave, miqve dhe të afërmve të tyre, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Shpirti i tyre u prehtë në paqe! Të lënduarve të tjerë shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar Konjufca.

Sipas njoftimit të policisë aksidenti me fatalitet ka ndodhur rreth orës 18:40, teksa në aksident kanë qenë të përfshira dy vetura, njëra prej tyre veturë zyrtare e policisë. Si pasojë kanë humbur jetën tre persona civil, përderisa lëndime kanë pësuar edhe pesë persona tjerë, katër prej tyre zyrtarë policor.


MË SHUME NGA Lajme