Sadiku-Ahmeti: Trashëgimisë kulturore i kemi sjellë perspektiva të ndryshme
K. K. / RTKlive
Kosovare Sadiku-Ahmeti, drejtoreshë ekzekutive e YARL, për RTK-në tha se trashëgimisë kulturore i kemi sjellë dy perspektiva të ndryshme, për zonën urbane dhe zonën rurale.
Ajo në “Mirëmëngjesi Kosovë” tha se kemi trajtuar dy pika shumë të rëndësishme. “Kemi vendosur t’i ndajmë në dy etapa: shkolla e parë shqipe dhe vitet ’90, kur shqiptarët janë dëbuar nga institucionet dhe kanë kaluar në shtëpi-shkolla”, bëri me dije Ahmeti.
“Ideja ka qenë trajtimi i ndërtesave historike, që hapësirave publike dhe ndërtesave historike apo të trashëgimisë kulturore t'u bëjmë një promovim tjetër, të cilat pak a shumë kanë mbetur në harresë ose nuk janë promovuar mjaftueshëm", tha ajo.
“Gjatë dizajnimit kemi pasur parasysh të gjitha grupmoshat, sepse aty vizitorët janë të ndryshëm. Kemi pasur dizajn për turistë të jashtëm, kabina informuese, janë dizajnuar këndet e lojërave për fëmijë në ambient të jashtëm, laurat që të jenë sa më të qasshme edhe për personat me aftësi të kufizuara. Terreni nuk është i sheshtë. Në të dyja zonat ka pjerrtësi, kështu që është dashur të bëhen të qasshme edhe për persona të tjerë, sepse janë ndërtesa publike”, shtoi ajo.
Kurse Art Agushi, asistent i projekteve nga YARL, tha se janë bërë disa hulumtime në terren, si vizita dhe konsultime me banorët. “E kemi mbajtur edhe punëtorinë gjashtëditore në të cilën janë përfshirë dhjetë studentë të fushave të arkitekturës. Ka qenë një punëtori mjaft e mirë, në të cilën është bërë projekti për realizimin në këto dy lokacione”, tregoi Agushi.
Ndryshe, sonte në hapësirën e organizatës ETEA, nga ora 17:30, do të publikohet raporti hulumtues “Dizajnimi i hapësirave publike për ndërtesat historike” nga organizata “Youth are the real leaders”.























