KQZ: 71.16% e votuesve të regjistruar në diasporë votuan deri në orën 19:00
M. Pasoma / RTKlive
(E përditësuar 20:59) Nga 20 mijë e 324 votues të regjistruar për të votuar në përfaqësi diplomatike, kanë votuar 14 mijë e 463 qytetarë, pa përfshirë Qendrat e Votimit në Washington, Ottawa, Toronto dhe New York.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se mbi 70% e diasporës ka shfrytëzuar të drejtën e votës, duke përfshirë vendet ku tashmë ka përfunduar votimi dhe të dhënat deri në orën 15:00 sipas kohës në SHBA e Kanada.
Kështu ka njoftuar kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, në konferencën e katërt për procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
"Nga 20 mijë e 324 votues të regjistruar për të votuar në përfaqësi dhe nga të dhënat që kemi për pjesëmarrjen deri në orën 15:00 në SHBA dhe Kanada, ju njoftojmë se në këtë proces kanë votuar 14 mijë e 463 votues apo 71,16%", ka thënë ai.
"Ju njoftojmë se deri në orën 19:20 sipas orës lokale në vendin tonë, ka përfunduar votimi për përfaqësitë në 26 përfaqësi diplomatike, të cilat janë të vendosura në 17 shtete të ndryshme. Procesi i votimit është duke vazhduar në 4 përfaqësi të tjera të vendosura në SHBA dhe Kanada dhe pritet të përfundojë në orën 1 pasmesnate sipas orës sonë lokale", ka thënë ai.
Radoniqi ka thënë se procesi i votimit është zhvilluar pa ndonjë vështirësi e problem. Ai ka treguar se pasi të mbarojë procesi i numërimit të votave në përgjithësi, pastaj do të fillojë numërimi i votave të diasporës.
Kreu i KQZ-së ka bërë thirrje për dalje në votim të gjithë qytetarëve nesër më 9 shkurt.

(E plotësuar 15:53) KQZ: Nis votimi në SHBA e Kanadë, në vendet tjera votimi mbi 50%
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e tretë për procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës, në shtetet e ndryshme, deri në ora 15:00 kanë votuar mbi 50% e votuesve të regjistruar.
“Në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, ka nisur procesi i votimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanadë. Kemi pranuar të dhënat e pjesëmarrjes së votuesve deri në orën 15:00, nga 20 mijë e 324 votues të Republikës së Kosovës të regjistruar për votim, kanë votuar 10 mijë e 306 votues apo 50,91%”, ka thënë ai.
(E plotësuar 11:58) KQZ: Deri në ora 11 votuan 4 mijë e 390 mërgimtarë
N.M. /RTKlive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e dytë për procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës, në shtetet e ndryshme, deri në ora 11:00, kanë votuar 4 mijë e 390 mërgimtarë.
“Nga 20 mijë e 324 votues të regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike, deri në orën 11:00 kanë votuar 4 mijë e 390 votues, apo 21.60 për qind”, tha Radoniqi.


KQZ: Nis votimi në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e parë, në ora 08:00, për procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
N.M. /RTKlive
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri në këtë orë, sipas kohës lokale, janë hapur qendrat e votimit në përfaqësitë diplomatike në shtetet europiane, ndërsa votimi në përfaqësitë diplomatike në ShBA dhe Kanda do të fillojë më vonë.
Përfaqësitë diplomatike në të cilat ka filluar procesi i votimit në orën 07:00, sipas kohës lokale në Kosovë, janë: Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankurt – konsullatë; Duseldorf – konsullatë; Munih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Hamburg – konsullatë); Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); Mbretëri e Bashkuar (Londër – ambasadë); Belgjikë (Bruksel – ambasadë); Austri (Vjenë – ambasadë); Francë (Paris – ambasadë; Strasbourg – konsullatë); Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); Turqi (Stamboll – konsullatë); Norvegji (Oslo – ambasadë); Slloveni (Lubjanë – ambasadë); Suedi (Stokholm – ambasadë); Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); Kroaci (Zagreb – ambasadë); Holandë (Hagë – ambasadë); Çeki (Pragë – ambasadë); Hungari (Budapest – ambasadë); dhe Maqedoni e Veriut (Shkup – ambasadë).
Procesi i votimit në ShBA (Washington – ambasadë; New York – konsullatë) dhe nnë Kanadë (Otavë – ambasadë; Toronto – konsullatë) do të fillojë në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë.
Në përgjithësi, votimi do të zhvillohet në 43 vendvotime që u përkasin 16 ambasadave dhe 14 konsullatave të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme.
Numri i përgjithshëm i shtetasve të regjistruar për të votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është 20,324 votues.
Vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike do të mund të votojnë më 8 shkurt 2025, pasi në Listën Votuese e cila është dërguar në përfaqësi dipomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit (29 gusht – 26 dhjetor 2024).
Verifikimi i statusit mund të bëhet në çdo kohë përmes platformës elektronike: https://diaspora.kqz-ks.org/sq/AbroadVoter/AbroadVoterStatuses























