Nis rinovimi i Shtëpisë së Kulturës në Zhur|Video
BKT
Kulturë

Nis rinovimi i Shtëpisë së Kulturës në Zhur|Video

Myrvete Axhami|RTK

Mbi 200 mijë euro do të kushtojë rinovimi i shtëpisë së kulturës në fshatin Zhur, e nisur në vitin 2009 dhe e pafunksionalizuar asnjëherë. Ndërtimi i saj në atë kohë kushtoi rreth 1 milion euro. Ky objekt i aktiviteteve kulturore do t`u kthehet zhurjanëve në fund të vitit 2025.

Para 12 vjetësh u ndërtua kjo shtëpi kulture në fshatin Zhur të Prizrenit, por asnjëherë nuk i hapi dyert për aktivitetet kulturore apo publikun zhurian. 

Ndërtimi i këtij objekti u përcoll me shumë ankesa e lënda e saj përfundoi në gjykatë për më shumë se një dekadë.

“Në atë kohë kur u ndreq kur u rrënua objekti i vjetër shumë i ka vytë. Tash për momentin kur në këtë kohë shumica e të rinjve na kanë ikë...Tash edhe interesi ka ra diçka, po na doket e pa mundshme që ka me u ndreq”, tha Almedin Vezaj, banor i Zhurit.

Kjo shtëpi e kulturës ishte e domosdoshme për ansamblin "Emin Duraku".

 “Na u shkatërruan instrumentet, na u shkatërrua gardëroba, nuk dimë ku të sistemohemi. Herë në shkollë, herë në rrugë. Kështu që për ne është diçka superlative, ishalla kryhen punimet si duhet”, tha Hajdar Elzekurtaj, drejtor i ansamblit “ Emin Duraku”.

Komunarët thonë se për funksionalizimin e saj është ndarë edhe një pjesë shtesë nga buxheti.

“Nuk kemi asnjë problematik sa i përket qoftë mjeteve të ndara nga komuna e Prizrenit qoftë edhe pjesës tjetër që, nuk kemi më probleme ligjore. Po sipas planifikimit parashihen mbi 220 mijë euro që të komplet e gjitha shtëpia e kulturës në fshatin Zhur”, theksoi Adem Morina, drejtor i Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Ky institucion kulturor, sipas zyrtarëve të Komunës se Prizrenit, do t`u kthehet zhurianëve në fund të vitit 2025.


MË SHUME NGA Kulturë