DnV: Deri në ora 12:00, dalja e qytetarëve në zgjedhje 14.5%
V.Saraçi|RTKlive
(E plotësuar, ora 14:00) Rrjeti i organizatave Demokracia në Veprim që monitorojnë procesin zgjedhor kanë dal me shifra të tjera të mbarëvajtjes së këtij procesi zgjedho. Sipas DnV-së që në terren duke vëzhguar procesin e votimit në tërë territorin e Kosovës i kanë 500 vëzhgues, thonë se deri në orën 12: 00 të drejtën për të votuar e kanë , 6% prej tyre kanë votuar me asistencë.
Sipas Eugen Cakollit nga DnV, në komunat me shumicë serbe, dalja në votime është raportuar të jetë mbi 24% që është gati dyfish më e lartë sesa mesatarja e përgjithshme e daljes në nivel vendi.
Cakolli ka përmendur si një nga parregullsitë më të shprehura në procesin e votimit, vështirësitë e votuesve në gjetjen e vendvotimit.
“Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar se deri në orën 12:00, vështirësi për ta gjetur emrin në Listë, rrjedhimisht për ta identifikuar vendvotimin adekuat ka pasur në më shumë se 52% të vendvotimeve, deri në 10 raste të tilla. Shqetësues mbetet fakti se në 6% të vendvotimeve numri i qytetarëve që kanë raportuar për këto vështirësi ka qenë deri në 50 raste”, tha ai.
Këto vështirësi, sipas tij, mund të jenë rezultat i ndryshimeve të Qendrave të Votimit nga ana e KQZ-së për shkak të rritjes së numrit të përgjithshëm të votuesve.
Ndërkohë, ai ka thënë se në këtë proces sikurse në proceset tjera zgjedhore ka qenë i shprehur fenomeni i votimit me asistencë.
“Deri në orën 12:00, nga numri i deritanishëm i qytetarëve që kanë votuar, 6% prej tyre kanë votuar me asistencë, e më shumë se dy të tretat prej tyre janë gra. Po ashtu, në 17% të vendvotimeve kemi hasur në raste të izoluara ku votues të rinj në moshë kanë kërkuar të votojnë me asistencë. Gjithsesi, nuk kanë munguar edhe rastet kur votimi me asistencë nuk është zhvilluar konform rregullave, dhe kjo ka ndodhur në raste të izoluara në 7% të vendvotimeve, ku asistuesit nuk janë evidentuar fare në Librin e Votimit”, tha ai.
DnV i ka bërë thirrje kryesuesve të KVV-ve që të sigurojnë që votimi me asistencë të bëhet konform rregullave zgjedhore. Asistenca e parregullt konsiderohet shkelje e dispozitave ligjore, e dënueshme me gjobë prej 200-2000 Euro.
Ka pasur disa raste të izoluara kur më shumë se një votues ka qëndruar prapa kabinës së votimit, dhe atë si fenomen në 11% të vendvotimeve.
Tutje, Cakolli tha se cenimi i fshehtësisë së votës i manifestuar përmes fotografimit të votës po vazhdon të shfaqet edhe në këto zgjedhje. “Fotografimi i votës dhe bërja e saj publike supozohet se ndërlidhet me cenimin e fshehtësisë së votës apo blerjes së saj, por edhe frikësimin e votuesit dhe shtrembërimin e vullnetit të tij”, tha ai.
Ndërkohë, si incident serioz, DnV-ja e ka renditur faktin që sipas tyre kabinat e votimit janë vendosur në atë mënyrë që kanë cenuar fshehtësinë e votës.
“Deri në gjysmën e ditës, në 4% të vendvotimeve është raportuar për shkelje procedurale, siç janë rastet kur kabinat e votimit janë vendosur në atë mënyrë që kanë cenuar fshehtësinë e votës”.
Gjithashtu, sipas DnV-së janë raportuar raste sa i përket fshirjes me lehtësi të ngjyrës matrikuluese nga gishti, që mund t’i hapë rrugë mundësisë së votimit të dyfishtë.
DnV: Nis procesi i votimit, 9% e vendvotimeve hapen me vonesë
Koalicioni i Organizatave, Demokracia në Veprim që këtë proces zgjedhor po e monitorojnë me 500 vëzhgues në tërë territorin e Republikës së Kosovës, kanë raportuar se 9 për qind e vendvotimeve janë hapur me vonesë, e arsye kryesore ka qenë mungesa e komisionerëve dhe atë në 6% të vendvotimeve.

Megjithatë, sipas tyre aranzhimi i vendvotimeve është bërë konform rregullave të përcaktuara nga KQZ-ja. Nuk është raportuar asnjë rast kur kabinat e votimit nuk janë vendosur në këndet e vendvotimeve, që do të mund të cenonte fshehtësinë e votës. Po ashtu, thonë se nuk është raportuar për raste të vendosjes së kamerave në një mënyrë që do të mund ta cenonte fshehtësinë e votës.
DnV thotë se edhe pse rregullat zgjedhore ndalojnë vendosjen e posterëve dhe materialeve të tjera propaganduese të subjekteve politike brenda perimetrit prej 100 metër të Qendrës së Votimit, vëzhguesit tanë kanë raportuar prani të këtyre materialeve në 3% të Qendrave të Votimit.
Por, edhe në këtë proces zgjedhor, 20 për qind e Qendrave të Votimit, sipas DnV-së nuk kanë infrastrukturë adekuate për votim nga personat me aftësia të kufizuara fizike.
“Personat me aftësi të kufizuar duhet të kenë mundësi të barabarta të marrin pjesë në jetën publike e politike, e me këtë edhe në votim. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i Qendrave të Votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuara fizike. Është raportuar se 20% e Qendrave të Votimit në nivel vendi nuk kanë infrastrukturë adekuate (pjerrina) që u mundëson personave me aftësi të kufizuara qasje në objekt”, thuhet në raportin e DnV-së.
Vëzhguesit e DnV-së gjithashtu kanë raportuar se posterët informues që duhet të jenë në qendra të Votimit, kanë munguar në 15% të tyre, derisa e kanë raportuar si të ulët praninë e grave komisionere vazhdon të jetë e ulët edhe në këto zgjedhje.
Ndërkohë, kanë raportuar se në dy raste, vëzhguesve të DnV-së në komunën e Prizrenit u është mohuar qasja në informata nga kryesuesit e vendvotimeve, përkatësisht në Qendrën e Votimit, Abdyl Frashëri 2002/05 dhe Motrat Qirazi 2003/07.























