KQZ: Deri tash kanë votuar 566.277 qytetarë apo 28.73 për qind
V.Saraçi|RTKlive
(E plotësuar, ora 16:30) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në përditësimin e të dhënave në uebfaqen ka bërë publike se deri në orën 16:28, drejtën e votës e kanë ushtruar 566,277 qytetarë apo 28.73 për qind.

Kurse, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, përmes një konference për media ka bërë të ditur se procesi i votimit është duke shkuar në rregull.
“Procesi zgjedhor është duke vazhduar pa probleme që do ta cenonin mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme. Në rastet kur është paraqitur ndonjë paqartësi, KQZ ka ndërhyrë dhe ka udhëzuar personat e duhur për të marrë hapat e duhur për procesin e votimit në vendvotime”, ka theksuar Elezi.
Elezi, ka komentuar ankesat se shenja që po vendoset në gisht te votuesit, pas një kohe po fshihet. Ai ka deklaruar se kjo nuk është e vetmja masë që KQZ merr parasysh që një person është votues.
“Gjatë ditës së sotme kemi pranuar informacione se ngjyra matrikuluese e cila vendoset në gisht, po fshihet pas një kohe të shkurtër. E para, ecuria e gjithmbarshme e procesit zgjedhor përfshirë dhe këto çështje do të jenë pjesë e analizës së mëvonshme lidhur e përgatitjet që janë bërë edhe lidhur me sfidat që jemi ballafaquar. E dyta, vendosja e shenjës në gisht nuk është e vetmja masë e sigurisë që përdoret nga KQZ që garanton procesin e votimit. Të gjithë personat që votojnë duhet që pasi të identifikoheni në vendvotime përmes dokumenteve zyrtare të nënshkruani në hapësirën e emrit, pra duke konfirmuar që po marrin pjesë në vendvotim. Ky nënshkrim ia pamundëson një votuesi që të votojë sërish”, ka deklaruar ai.
KQZ: Deri në orën 15:00 votuan 534 mijë e 210 qytetarë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në ora 15:00, pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje është 534 mijë e 210 qytetarë
KQZ-ja në vazhdimësi është duke përditësuar të dhënat.
KQZ: deri në ora 11:00 votuan 8.58 për qind e votuesve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me përqindje të votimit deri në ora 11:00. Deri në këtë kohë në Kosovë votuan 169 mijë 32 votues, apo përkthyer në përqindje 8.58 për qind.
Katër vjet përpara në të njëjtën periudhë kohore kishin votuar 8. 30 për qind apo 145 mijë 650 votues.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se procesi po vijon normalisht. “Sipas informacioneve që ne i kemi të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë. Kemi pasur ca probleme me qendrat e votimit me kusht, por kemi pasur problem, lidhur me përdorimin e “llogarive”. Për neve gjithçka është në rregull. Ky problem nuk ka qenë vetëm në veri të vendit, por edhe në komuna të tjera në qendrat e votimit me kusht”, tha Radoniqi.
I pyetur rreth problemeve që qytetarët kanë për të gjetur Qendrat e Votimit, Radoniqi tha se KQZ-ja u kishte dhënë kohë mjaftueshëm qytetarëve që ta bëjnë ndërrimin e qendrës.
“Ju e dini se fushata për ndërrimin e Qendrës së Votimit ka qenë mjaft e gjatë, dhe ne kemi bërë thirrje të vazhdueshme që qytetarët të kontrollojnë qendrën e tyre të votimit dhe në rast nevoje nëse dëshirojnë ta ndryshojnë, dhe e kemi njoftuar me mesazhe ta bëjnë këtë gjë. Nëse nuk e kanë bërë gjatë asaj periudhe nuk mund ta ndryshojmë, meqë është certifikuar periudha e ndryshimit të Qendrës së Votimit”, tha ai.
Sqarime ka dhënë edhe Arianit Elshani që tha se gjatë këtyre katër viteve nga 2021 e tutje kanë përditësuar gjatë gjithë kohës listën e votuesve.
“Personat që kanë pasur adresat në Agjencinë e Regjistrimit Civil, kur kanë tërhequr dokumentet e identifikimit në komunë të Prishtinës ne i kemi përditësuar ato adresa. Për këtë gjë, siç u tha, ne kemi dërguar mesazhe në të gjithë numrat e telefonit, për të shikuar qendrën e tyre të votimit. Deri me 26 dhjetor ka qenë i hapur afati. Përgjatë katër vitesh ka pasur informim të vazhdueshëm që është vetëm një Qendër Votimi me kusht dhe ndërrimi i Qendrave të Votimit. Ata persona që në regjistrat shtetëror figurojnë në ato adresa, janë përcaktuar afër vendbanimit të tyre”, sqaroi ai.























