Mediat botërore për zgjedhjet në Kosovë
BKT
Lajme

Mediat botërore për zgjedhjet në Kosovë

B. H. | RTKlive

Zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën në Kosovë kaluan pa incidente dhe rezultuan demokratike. Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti fitoi shumicën e votave, por mbeti pa një shumicë të plotë parlamentare, duke e detyruar të kërkojë një aleat për formimin e qeverisë, raportojnë mediat botërore.

Sipas rezultateve të para, VV arriti të sigurojë 41.3% të votave, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mori 21.8% dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 17.8%. Megjithatë, kjo fitore nuk i garanton Kurtit formimin e qeverisë pa pasur nevojë për bisedime të mëtejshme për koalicione.

Associated Press raporton se partia e kryeministrit Albin Kurti, fitoi shumicën e vendeve në zgjedhjet parlamentare të fundjavës, por mbeti pa një shumicë në Kuvend, duke e detyruar të kërkojë një aleat për të formuar qeverinë.

“Zgjedhjet e dielën ishin të rëndësishme për të përcaktuar kush do të udhëheqë Kosovën, ndërsa bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë janë bllokuar dhe financimi nga jashtë për një nga shtetet më të varfra të Evropës është në dyshim”, shkruan AP.

Sipas AP-së, mandati i ri i Kurtit do të përballet me sfida të shumta pasi Uashingtoni ngriu ndihmën e huaj dhe Bashkimi Evropian ka pezulluar financimin për disa projekte gati dy vjet më parë.

“Kosova, me një popullsi prej 1.6 milionë, është një nga shtetet më të varfra në Evropë, me një produkt të brendshëm bruto vjetor më pak se 6,000 euro për person. Kurti gjithashtu ka shumë mundësi të përpiqet të riparojë marrëdhëniet me fuqitë perëndimore, të cilat janë në kundërshtim me disa veprime të tij që kanë rritur tensionet me Serbinë dhe serbët etnikë në Kosovë, përfshirë ndalimin e përdorimit të monedhës serbe dinar dhe ndalimin e transfertave të dinarëve për serbët e Kosovës”, shkruan tutje AP.

Agjencia franceze e lajmeve AFP shpjegon se "Kosova do të kalojë ndoshta në ditë, nëse jo javë, të bisedimeve për koalicione dhe lojë politike", duke theksuar se Kurti është i detyruar të kërkojë një koalicion për të formuar një qeveri, pasi "asnjë parti e vetme nuk fitoi shumicën e qartë".

Ndërkaq, Al Jazeera e citoi Kurtin duke thënë: "Ne jemi partia e parë, partia fituese që do të krijojë qeverinë e ardhshme. Ne do të vazhdojmë të përfundojmë punën që kemi filluar". Megjithatë, Al Jazeera thekson se "Kosova do të kthehet në një qeveri koalicioni".

BBC nënvizon se, pas fitores së partisë së tij, Kurti tha: "Ne jemi fituesit dhe ky është një konfirmim i një qeverie të mirë dhe demokratike" dhe se ai është i sigurt për formimin e qeverisë.

Zgjedhjet gjithashtu reflektuan shqetësimet e qytetarëve për gjendjen ekonomike të vendit, i cili mbetet ndër më të varfrit në Evropë, shkruan tutje AFP. "Shumë votues thanë se çështjet ekonomike ishin ato që shqetësonin më shumë ndërsa hodhën votën e tyre" dhe kjo pasqyron shqetësimet kryesore të qytetarëve, të cilët kërkojnë përmirësime në ekonomi, shëndetësi dhe arsim.


MË SHUME NGA Lajme