Sylejman Selimi fillon dëshminë në Hagë
Donika Sherifi /RTK
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi është dëshmitari i 121 i Prokurorisë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ai do të japë dëshminë e tij për katër ditë radhazi para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Fillimisht Selimit përmes avokatit të tij, Artan Qerkini iu dha garancia se nuk do të ndiqet penalisht për dëshminë e dhënë para Dhomave të Specializuara në Hagë.
“Mbrojtja që iu jepet përmes garancive është që kjo gjykatë nuk do t’iu ndjekë penalisht apo nuk do të nxjerrë asnjë informacion që na e jepni ne për palë të tjera. Megjithatë kur jepni dëshmi në publik, ky informacion që do të jepni e dëgjon i gjithë publiku”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Selimi u pyet për sulmin në stacionin e policisë serbe në Runikë të Skenderajt në vitin 1997, për çka tha se kishte marr urdhër nga komandanti Adem Jashari.
“Urdhrin e kam marrë nga Komandanti legjendar Adem Jashari. Unë e kam shpjeguar që prej 91-shës kam qenë pjesë e grupit të Adem Jasharit dhe për çdo gjë që ka pas nevojë unë kam qenë në mbështetje të tij”, tha Sylejmani, duke shtuar se sinjali i këtij sulmi ishte që UÇK-ja ekziston.
Prokurori i Specializuar, Matt Halling tutje e pyeti Selimin për një takim të mbajtur në Prekaz në vitin 2001, procesverbali i të cilit ai tha se nuk i kujtohet nga kush është mbajtur.
Sylejman Selimi foli edhe për daljen e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në skenë, për çka tha se vendimin për këtë e kishte marrë komandanti Adem Jashari.
Gjatë kohës kur kjo ndodhi, Selimi tha se kanë qenë të pozicionuar në vende të ndryshme për ta ruajtur sigurinë gjatë varrimit të mësuesit, Halit Geci që u bë po atë ditë.
Dëshmitari i 120 i prokurorisë: Do të ishte mirë të mos më pyetni më
Pas një jave pushim, Dhomat e Specializuara në Hagë rifilluan gjykimin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pyetjeve iu përgjigj dëshmitari i 120 i prokurorisë, i cili foli me identitet të mbrojtur.
Përmbledhjen për të e lexoi prokurori Cezary Mihailzcuk.
“Në qershor të 1999-ës, dëshmitari 00542 dhe një i afërm i tij, u rrëmbyen nga persona të armatosur që kishin uniforma me emblema të UÇK-së, të cilët i dërguan në një vend ku i mbajtën të ndaluar dhe i morën në pyetje dhe i keqtrajtuan. Gjatë kohës që ishte i ndaluar 00542 u mor në pyetje nga një komandant në atë vend. 00542 pa me sytë e tij se si janë keqtrajtuar të ndaluarit të tjerë që mbaheshin atje. Dëshmitari 00542 u lirua pas disa ditësh”, tha prokurori Mihailzcuk.
Mirëpo, pas pyetjeve për gjendjen shëndetësore, dëshmitari pati një kërkesë për Dhomat e Specializuara.
“A mund të na tregoni cilat janë këto probleme?”, pyeti prokurori, teksa dëshmitari u përgjigj: “Nuk e di çka s’kam problem, nuk e di ç’të them sinqerisht dhe tani që jam këtu i stresuar, do të ishte më mirë që të më lironi e mos të më bëni pyetje më për këtë, që mos të thirrem më nga asnjë gjykatë dhe mos më keqtrajtoni më”.
Pavarësisht kërkesës së tij, gjykimi vazhdoi. Mbrojtja e të akuzuarve pyetjet i bëri në seancë të mbyllur, me çka edhe përfundoi dëshmia e tij.























