Kush e formon qeverinë? l VIDEO
BKT
Foto arkiv/ RTKlive
Lajme

Kush e formon qeverinë? l VIDEO

Arberesha Berisha/RTK

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 9 shkurtit kanë ngritur dilema rreth mënyrës se si do të formohet qeveria e re. Edhe Lëvizja Vetëvendosje, por edhe PDK, LDK e AAK të bashkuara, mund ta bëjnë shumicën me votat e deputetëve të pakicave. Këtë herë, vlerësohet se këta të fundit do të kenë një peshë më të madhe.

Njohës të çështjeve politike nuk presin ndonjë koalicion mes LVV-së dhe ndonjërës nga partitë që deri më tani kanë qenë në opozitë. Edhe pse, nuk përjashtojnë mundësinë që pas numërimit të të gjitha votave, Vetëvendosje ta krijojë qeverinë bashkë me votat e pakicave.

"Rezultati zgjedhor është jashtëzakonisht komplikues, sepse u jep mundësi edhe Lëvizjes Vetëvendosje që ta krijojë sërish qeverinë e vetme, por edhe opozitës së bashkuar. Por, sido që të jetë, një gjë është e sigurtë se çdo kush do të duhet të bëjë kompromise të mëdha", tha Artan Muhaxhiri, njohës i politikës.

"Në rast se LVV nuk arrin ta krijojë qeverinë, analistët presin që PDK, LDK e AAK të lidhin koalicion, dhe bashkë me deputetët e komuniteteve ta udhëheqin shtetin", deklaroi për RTK Mazllum Baraliu, njohës i politikës.

"Mund të ketë edhe kombinime tjera të partive opozitare që të bëjnë një koalicion marrëveshësor për një qeveri të pakicës", tha Besa Luzha, njohëse e politikës.

Mënyra e ndërtimit të sistemeve demokratike i parasheh koalicionet e mundshme parazgjedhore ose paszgjedhore, në vëllimin për bashkëpunim, për kompromis.

Në të dy alternativat e krijimit të një qeverie të re, analistët thonë se e njëjta nuk do ta çojë mandatin deri në fund.

Nga partitë politike, analistët kanë kërkuar që të bashkëpunojnë në mënyrë që shumë procese të rëndësishme, në të cilat ndodhet vendi, të mos ngecin si pasojë e moskrijimit të institucioneve në kohë.

 


MË SHUME NGA Lajme