Rënia e sistemit i çon dëm punën komisionerëve,10 kuti kthehen në rinumërim
BKT
Lajme

Rënia e sistemit i çon dëm punën komisionerëve,10 kuti kthehen në rinumërim

V.S|RTKlive

(19:55 E Përditësuar )Gjithë puna që komisionerët e angazhuar për numërimin e votave të kandidatëve për deputetë kanë bërë gjatë paradites në Qendrën Komunale të Numërimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, dështoi pasdite.

Kjo, sipas gazetares së RTK-së, Edona Podvorica, e cila gjatë gjithë ditës ka qëndruar aty duke parë nga afër gjithë procesin.

Ajo, tregoi se rënia e sistemit para orës 16:00 të ditës së sotme ka bërë që të mbyllen dhjetë kuti votimi, e të njëjtat të rinumërohen nga ndërrimi tjetër që punën e filloi pas orës 17:00.

Sipas saj, deri tash kanë arritur të numërohen 5 kuti votimi, nga 258 sa ka gjithsejtë në nivel kryeqyteti.

Sipas informacioneve që ajo ka marrë nga aty, thotë se rënia e sistemit në të shumtën e rasteve nënkupton rinumërim të tyre.

Ndërkohë, numërimi i kutive të votimit sot nga ora 16:00 siç ka bërë të ditur KQZ-ja ka filluar edhe në 13 komuna të tjera, ndërsa nga ora 13:00 kishte filluar numërimi edhe në Han të Elezit.

Por, ky proces nuk dihet se sa do të zgjasë, duke pasur parasysh se ka ende komuna që fare nuk e kanë nisur numërimin, e që nga monitoruesit vendor kjo vonese është kritikuar, meqë kanë thënë se procesi i numërimit do të duhej të niste qysh nga e hëna në ora 08:00 të mëngjesit.

Rinis numërimi i votave në sallën `1 Tetori`

(18:05 E Përditësuar ) Pas një pauze prej një ore, ka nisur përsëri numërimi i votave në Qendrën Komunale të Numërimit, në sallën “1 Tetori”. Sipas raportimeve nga terreni, ndërrimi i pasdites i komisionarëve ka nisur punën me vonesë për shkak të disa përditësimeve që i janë bërë sistemit.

Numërimi i votave është përcjelle me ngecje e pengesa të herëparshershme.

Siç njofton gazetarja e RTK-së, paradite nuk është arritur përfundimi i asnjë kutie, për shkak të problemeve me sistemin, i cili ka rënë vazhdimisht, duke bërë që të gjithë procesi të nisë nga fillimi.

Raportohet se momentalisht, janë përfunduar 5 kutitë e para, ndërkohë që 10 kuti të tjera janë ende në proces.

Numri total i kutive në '1 Tetori është 258.

16:50 Vëzhguesit partiak thonë se vetëm dy kuti votimi u numëruan në `1 Tetori`

Vetëm dy kuti votimi, nga 258 sa ka Prishtina janë numëruar qysh nga nisja e procesit të numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit, në sallën “1 Tetori”.

Këtë, tha gazetarja e RTK-së, Edona Podvorica ia kanë thënë vëzhguesit e partive politike që po vëzhgojnë këtë proces, në ditën e dytë të nisjes së tij.

“Nga ajo çka më kanë thënë vëzhguesit e partive politike, nga dje kur ka nisur ky proces, vetëm dy kanë përfunduar”, tha ajo.

Ndërkohë, ajo tha se ndonëse ndërrimi i pasdites i komisionarëve parashihet të jetë nga ora 16:00, ata edhe në ora 17:00 ende nuk kishin nisur punën në numërim.

Dita e djeshme në këtë qendër numërimi në Prishtinë u përcoll me pengesa të herëpashershme  për shkak të rënies së sistemit ku futeshin të dhënat nga numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.


MË SHUME NGA Lajme