Përfundon dëshminë Sylejman Selimi, foli për Shabin e Përgjithshëm
BKT
Gjykata Speciale

Përfundon dëshminë Sylejman Selimi, foli për Shabin e Përgjithshëm

V.S|RTKlive

(E plotësuar) Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës dhe ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi ka përfunduar dëshminë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veseli, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Gjatë fundit të dëshmisë së tij, dëshmitari Selimi u mor në pyetje nga tri ekipet mbrojtëse, përveç atij të Rexhep Selimit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari ka mohuar se ka pasur kompetenca, udhëzime apo rregullore që të arrestojë civilë. Të njëjtën gjë, Selimi e ka konfirmuar edhe për avokatin e Veselit, Rodney Dixon.

Selimi gjatë dëshmisë së tij,  ka ritheksuar se Shtabi i Përgjithshëm nuk e ka ofruar mbështetjen e duhur për zonat operative.

“Shtabi i Përgjithshëm e ka pasur emrin dhe kur e përmend si Shtab në dukje është diçka e madhe. Do të kisha pasur dëshirën që ta kemi një Shtab të tillë gjatë kohës së luftës, por fatkeqësisht nuk e kemi pas një shtab të tillë që munden me u mbështetë zonat operative. Ka qenë një shtab që u përbë prej disa anëtarëve që më shumë nuk i ke taku se sa që i ke taku. Ka qenë një shtab jo funksional”, ka deklaruar Selimi.

Kurse, avokati i Veselit, Rodney Dixon ka kërkuar që të informohet se çfarë do të vijohet më tej pas prillit.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III ka thënë kur të përfundon Prokuroria, do të organizojnë një konferencë për ecurinë e çështjes. Megjithatë, ai ka bërë të ditur se do të lëshohen edhe disa urdhra në përgjigje të pyetjeve të mbrojtjes, pasi Dixon ka theksuar se kanë disa afate për parashtrime e mocione.

Kur iu ka dhënë fjala mbrojtësit të viktimave, seanca ka kaluar në sesion privat për të diskutuar lidhur me disa parashtrime lidhur me disa masa mbrojtëse të cilat janë pezull.

Kryetari i trupit gjykues ka bërë të ditur se javën e ardhshëm Prokuroria e ka vetëm një dëshmitar të siguruar dhe i ka kërkuar që të përpiqet që ta sigurojë edhe një tjetër në mënyrë që të mos zvarritet koha në gjykatë.

Me kaq përfundoi seanca, për të vazhduar të martën. Ndryshe, Sylejman Selimi e kishte filluar dëshminë të hënën dhe vazhdoi për katër ditë me radhë. Gjatë gjithë dëshmisë së tij, dëshmitari u përfaqësua nga avokati.

Selimi: Pa Adem Jasharin, nuk do të kishte UÇK

“Adem Jashari ka qenë kryesori në UÇK, pa Adem Jasharin as UÇK nuk do të kishte”, tha gjatë dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara në Hagë, Sylejman Selimi.

Ai tha se Adem Jashari nuk ka marr urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

“Nuk ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm, por ka dhënë urdhra ose është konsultuar me Shtabin e Përgjithshëm, me njerëzit që i ka njohur”, vijoi tutje dëshminë ai.

Ai tha se Adem Jashari ka mundur të jap urdhra, e jo të marr urdhra nga dikush tjetër.

“Ka mund të jep urdhra, Adem Jashari nuk ka mund të marr urdhra nga dikush tjetër. Adem Jashari ka qenë komandant kryesor. Pa Adem Jasharin as UÇK s’do kishte pasur”, tha ai.

Gjyqtari i tha dëshmitarit se javën e kaluar ka thënë për ZPS-në se Adem Jashari ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm. Madje,  dëshmitarit iu prezantua edhe një deklaratë që e kishte dhënë lidhur me këtë çështje për  Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

“Çdo gjë që  është bërë është bërë me plan të Shtabit të Përgjithshëm… Njëkohësisht edhe në zonat tjera kanë vepruar me të njëjtin plan nga Shtabin e Përgjithshëm. Çdo gjë ka qenë e organizuar nga Shtabi i Përgjithshëm”, kishte thënë dëshmitari për TPNJ-në.

Selimi ka insistuar në përgjigjen e tij.

“Çdo herë mund të them që kryesori në UÇK ka qenë Adem Jashari. Unë e kam shpjeguar si është organizuar Shtabi Përgjithshëm nga mendimi im, por duke ditur se unë nuk kam qenë anëtar i Shtabit, unë i kam dhënë ato mendimet e mija”, tha Selimi.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale