Deri në dy javë mund të zgjasë procesi i numërimit të votave
BKT
Lajme

Deri në dy javë mund të zgjasë procesi i numërimit të votave

V.S|RTKlive

(E përditësuar, ora 16:00) Deri në dy javë kohë mund t’i marrë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në përfundim të procesit të numërimit të votave. Këtë e tha vetë kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

“Meqë nuk kemi filluar në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit e të shohim edhe atje si po shkon procesi, atëherë nuk e kemi bërë një vlerësim sa do të zgjatet tërë procesi deri në përmbyllje të numërimit, por një dyjavësh mund të jetë”, tha ai.

Kjo sipas tij, nëse funksionon ‘plani A” i cili po zbatohet aktualisht përmes procedimit të të dhënave në sistem, në të kundërtën, sqaroi ai, nëse shohin se vazhdojnë telashet me sistemin do t’i kthehen “planit B”, që është numërim i votave përmes formularëve.

Kjo do t’i merrte pesë ditë kohë KQZ-së, meqë për këtë duhet të ketë procedurë tenderuese.

“Sot me drejtorin e disa nga stafi administrativ e diskutuam që të presim edhe sot e nesër e të shohim si po shkon procedura e numërimit përmes sistemit. Nëse gjithçka shkon në rregull, do të vazhdojmë, nëse do të ketë probleme, ne menjëherë do të fillojmë një procedurë tenderuese për printimin e disa formularëve që janë të nevojshëm për rinumërimin e votave. Ajo do të merr kohë maksimum katër deri në 5 ditë dhe do t’i kemi formularët dhe do të vazhdojmë me metodën e vjetër. Por, unë jam i bindur që sistemi do të funksionojë”, tha Radoniqi.

I pyetur nëse të dielën pas zgjedhjeve kishte sulm kibernetik apo ndërhyrje në sistem, Radoniqi nuk ka dashur të lëshohet shumë në deklarime, ndonëse tha t’i kenë dyshimet e tyre.

Ai tha se kjo çështje tashmë i ka kaluar në duar të Policisë së Kosovës e Prokurorisë së Shtetit.

“Kjo çështje tash është në duar të policisë dhe prokurorisë. Pa e marrë raportin nga ata, ne nuk do të japim informacion, sepse nuk e kemi. I kemi edhe ne dyshimet tona, por ato janë adresuar në polici. Sapo të marrim diçka nga policia do ta bëjmë publike”, tha kreu i KQZ-së, para gazetarëve.

Po vazhdon procesi i vlerësimit të pakove nga votimi jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me vlerësimin e pakove me fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës.ipas KQZ-së, deri sot në ora 12:00, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar 8 mijë e 776 zarfe apo pako me fletëvotime, prej të cilave janë aprovuar 8 mijë e 247 pako, ndërsa 529 janë refuzuar për arsye të ndryshme.

Bëhet e ditur se 359 zarfe janë refuzuar gjatë regjistrimit. 34 të tjera janë refuzuar për shkak të më shumë se një fletëvotimi brenda zarfit. Në mungesë të vulës, apo pullës postare janë anuluar 5 zarfe. 16 të tjera janë anuluar për shkak të mospërputhjes, pra shteti i dërgimit të zarfeve ishte i ndryshëm me shtetin nga ku votuesi është regjistruar.

Tutje aty u bë e ditur se 50 zarfe janë anuluar për shkak se kishte vetëm dëftesa, pa fletëvotim. 29 zarfe sipas KQZ-së janë anuluar për shkak se kanë dërguar më shumë se një herë zarfin me fletëvotim.

Tutje thuhet se gjatë periudhës së votimit përmes postës, KQZ ka pranuar 68 mijë e 712 pako me fletëvotime, ndërkaq numri i votuesve të regjistruar për votim përmes ishte 84 mijë e 600.

“Në përfundim të vlerësimit të këtyre pakove, do të dihet saktë se sa është numri i pakove me fletëvotime të cilat do t’i nënshtrohen numërimit. Sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, thotë KQZ-ja.

Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104 mijë e 924, prej të cilëve 20 mijë e 324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike, por votuan vetëm 15 mijë e 352, ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84 mijë e 600 shtetas.

 


MË SHUME NGA Lajme