Numërimi në ‘1 Tetori’ po vazhdon pa pengesa e me ritëm të mirë
M.P. / RTKlive
(E përditësuar, 19:40) Numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në Qendrën Komunale të Numërimit në sallën ‘1 Tetori’ po vazhdon pasdite pa pengesa.
Gazetarja e RTK-së, Edona Podvorica, në një lidhje direkte në lajmet e orës 19:30, ka bërë të ditur se puna në këtë qendër po vazhdon normalisht dhe sipas saj nëse vazhdohet me këtë ritëm, atëherë do të bie poshtë ‘Plani B’ i KQZ-së, i cili nënkuptonte që evidentimi i rezultateve të bëhet në formë manuale. Tutje ajo ka bërë të ditur se në këtë qendër është afër të përfundojë numërimi nga 10 kuti të tjera, që do ta çonte në 32 numrin e kutive të numëruara, derisa në nivel vendi deri më tani janë numëruar votat nga 114 vendvotime.
Përfundon numërimi i 22 kutive me votat për deputetë nga 258 në Prishtinë
(Publikuar, 17:19) Ka përfunduar numërimi i 22 kutive në të cilat janë të vendosura votat për kandidatët për deputetë. Në përgjithësi janë 258 kuti të cilat do të vendosin se kush nga këta kandidatë do të kenë vendin e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Kështu ka raportuar gazetarja e RTK-së, Edona Podvorica në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Qendra Komunale e Numërimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.
Ajo ka thënë se KQZ po përgatit një plan B për procesin e numërimit të votave, e cila parasheh rregullimin e serverit për të gjitha komunat. Ende nuk dihet se kur do të nisë numërimi i votave për kandidatë për deputetë për 12 komuna, sepse sipas KQZ-së, po bëhen gati ende për përgatitjet teknike e administrative.
“Plani B”, sipas KQZ-së do të nënkuptonte që evidentimi i rezultateve të bëhet sikur në të kaluarën në formularë të rezultateve për subjekte politike dhe formularë të rezultateve të kandidatëve, dhe jo siç ka filluar tani të bëhet duke u krijuar formularët digjital.
E më herët kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka deklaruar se procesi i numërimit të votave mund të zgjasë deri në dy javë.























