Shfaqja "Vojçeku", premierë sonte më 21 shkurt në Gjakovë
Sh. Gashi/ RTKlive
Kasta e aktorëve të teatrit "Hadi Shehu" sonte do të paraqesin premierën e shfaqjes `Vojçeku`, me regji të Zana Hoxhës. Shfaqja është një portret emocional i vuajtjes njerëzore dhe është vendosur në Berlin, në vitin 1981.
Në një lidhje direkte në RTK, regjisorja Zana Hoxha dha më shumë informacion për këtë shfaqje. Ajo tregoi se përgatitjet kanë nisur që muajin e kaluar dhe ekipi ka punuar intensivisht.
“Kemi filluar me përgatitje muajin e kaluar dhe kemi punuar intensivisht, është një shfaqje e madhe që ka kërkuar angazhim shumë të madh,” tha Hoxha.
Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e trajtimit të traumave, duke shpjeguar se kur ato nuk trajtohen apo trajtohen gabimisht, ato mund të kenë pasoja fatale për individët dhe ata që janë rreth tyre.
“Traumat e caktuara të cilat nuk trajtohen ose edhe trajtohen në mënyrë të gabuar, ose nuk trajtohen fare për shkak të frikës së stigmatizimit, ato mund të jenë fatale jo vetëm për personin që është duke e kaluar atë, por edhe për njerëzit përreth tij. Kështu kjo temë është shumë relevante dhe e ndjeshme dhe është prezentë në shoqërinë tonë,” tha ajo, derisa sqaron lidhur me atë që përmban kjo shfaqje.
Hoxha e lidh këtë temë edhe me Gjakovën, duke theksuar se kjo është një shoqëri që ka përjetuar shumë nga lufta dhe që pas luftës nuk është punuar mjaftueshëm për të trajtuar stresin post-traumatik. Ajo gjithashtu theksoi se përtej rindërtimit fizik të shtëpive, shpirtërat kërkojnë gjithashtu trajtim të kujdesshëm.
“Gjakova, siç e dimë, është një vend që ka përjetuar shumë nga lufta, dhe pas luftës nuk është punuar mjaftueshëm që stresi post-traumatik të trajtohet. Kemi menduar që me rinovimin e shtëpive tona rinovohet edhe shpirti, por shpirti kërkon një proces dhe trajtim me kujdes,” tha ajo.
Hoxha përfundoi duke shtuar se trajtimi i këtyre temave duhet të jetë një prioritet për qeverinë dhe se, si regjisore, qëllimi i saj është të trajtojë tema relevante për shoqërinë dhe vendin ku e realizon shfaqjen.
“Trajtimi i këtij stresi duhet të jetë për qeverinë e vendit. Unë si regjisore kam për qëllim të trajtoj tema që janë relevante për vendin ku unë e bëj shfaqjen dhe kam menduar që kjo temë është shumë relevante për Gjakovën. Jam munduar ta bëj atraktive, por kam munduar gjithashtu të ketë mesazhe që janë prezentë në shoqëri,” tha Hoxha.
Në shfaqje luajnë: Bujar Ahmeti, Vlora Dervishi, Edi Kastrati, Aurita Agushi, Arbies Komoni, Altina Kusari, Eden Kastrati.
Shfaqja është realizuar nga teatri “Hadi Shehu”, Gjakovë, në partneritet me Qendrën për Art dhe Komunitet “Artpolis”.























