OSBE reagon pas mbylljes së `qendrave` të financuara nga Serbia në veri
G.K/RTKlive
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar ndaj mbylljes së objekteve të të ashtuquajturës `Qendrës për Mirëqenie Sociale` në Mitrovicën e Veriut – të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb, duke theksuar se kjo do të ndikojë negativisht në aksesin e shërbimeve kyçe për komunitetet jo shumicë.
Misioni nënvizon se çdo ndërprerje e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, arsimit dhe mbështetjes sociale do të prekte në mënyrë të veçantë grupet sociale të cenueshme.
"Misioni vë në dukje se mbyllja e Qendrave të Mirëqenies Sociale të drejtuara nga Beogradi të premten do të ndikojë në aksesin në shërbime kyçe për komunitetet jo shumicë. Çdo ndërprerje e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, arsimit dhe mbështetjes sociale ndikon më shumë tek grupet sociale të cenueshme", thuhet në postimin e OSBE-së në Facebook.
Misioni i OSBE-së thekson se mbyllja e këtyre objekteve duhet të zgjidhet përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.























