Prokuroria heq dorë nga marrja në pyetje e Tarës|Video
BKT
Gjykata Speciale

Prokuroria heq dorë nga marrja në pyetje e Tarës|Video

Sh.Ç/RTKlive

(E plotësuar) Prokurorja, Vega Iodice ka hequr dorë nga insistimi për të marrë dëshminë e Ismet Tarës pasi ai tërë kohën është duke refuzuar të përgjigjet me arsyetimin se këtë gjë do ta bëjë pasi t’i shfaqet një dokument të cilin ka që nga mëngjesi i seancës që po e kërkon.

“Nuk besoj që dëshmitari do iu përgjigjet pyetjeve të mia”, ka theksuar ajo, duke njoftuar se ka mbaruar procesin e saj të marrjes në pyetje.

Iodice ka kërkuar pranimin e deklaratave të mëparshme të dëshmitarit por që këtë kërkesë do ta parashtrojë me shkrim.

“Kërkoj pranimin e deklaratave të mëparshme të dëshmitarit në përputhje me rregullën 143 të Rregullores, paragrafi 2(c) në qoftë se dëshmitari vazhdon të mos përgjigjet. Kjo mund të bëhet me shkrim në fakt sepse do të përzgjedhim pjesët përkatëse dhe kështu do ta bëjë kërkesën me shkrim”, ka theksuar ajo.

Kurse, avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka thënë se nuk janë shterur të gjitha mjetet juridike për ta marrë në pyetje dëshmitarin. Ai ka thënë se nuk i është shpjeguar dëshmitarit çështja e mosbindjes ndaj gjykatës dhe se një gjë e tillë ende nuk është konstatuar nga trupi gjykues.

“Fillimisht, sipas nesh nuk janë shteruar të gjitha mjetet për të marrë përgjigjen e dëshmitarit. Dëshmitarit nuk iu është shpjeguar çështja e mosbindjes së gjykatës dhe as nuk është konstatuar se s’po i bindet gjykatës. Pra, duhet ndërmarrë disa hapa të tjera përpara se të bëjmë parashtrime të mëtutjeshme. Gjithashtu, nuk duhet pranuar këto deklarata sipas nesh që ne si mbrojtje me sa duket nuk do e kemi mundësinë që të bëjmë kundërpyetje”, ka thënë ai.

Dixon ka thënë se fillimisht sipas tyre duhet shteruar të gjitha mjetet e mundshme ligjore që dëshmitari të jep dëshmi para trupit gjykues dhe më pas ata si mbrojtje ta kenë mundësinë që t’i bëjnë pyetje dëshmitarit.

Kryegjyqtari Charles Smith III, ka thënë se dëshmitari është paralajmëruar për gjerat që mund të pësojnë nga mosdhënia e dëshmisë, por që ai ka theksuar se nuk i bëhet vonë dhe të vazhdojë të mos përgjigjet.

 “Nuk e shohim nevojën që të vazhdojmë më tej me procedurat e mosbindjes ndaj gjykatës. Ne do ua japim mundësinë të i bëni pyetje nëse dëshironi. Nëse nuk dëshironi, ne do ta ndërpresim seancën dhe do të shohim nga prokuroria se çfarë hapash do të ndërmarrë në lidhje me këtë”, ka thënë ai.

Ndërsa, avokatja e Thaçit, Nina Tavakoli, ka mbështetur Dixonin, duke thënë se trupi gjykues duhet të del me konstatim për mosbindje të dëshmitarit ndaj gjykatës. Në rast që nuk bëhet kjo, Tavakoli ka thënë se duan ta dinë në tërësi se çfarë dëshmie po jep ky dëshmitar.

Gjithashtu edhe mbrojtja e Krasniqit e përfaqësuar nga avokati Aiden Ellis, ka thënë se nuk janë shteruar të gjitha mjetet duke shtuar se dëshmitarit mund t’i prezantohet dosja fizike e deklaratës së tij. 

Prokurorja Vega Iodice ka thënë se do ua tregojnë materialet përpara se të fillojnë kundërpyetje e mbrojtjes. Prokurorja ka kërkuar pushim për të përzgjedhur disa nga materialet për të ia jep mbrojtjes për t’i referuar kundërpyetje. Kryegjyqtari ka urdhëruar pushim prej 30 minutash në mënyrë që ZPS-së të iu mundësohet kjo.

Tara kërkon publikimin e një dokumenti, thotë se ia ka rrezikuar jetën

Ish-komandanti i UÇK-së, Ismet Tara ka kërkuar nga Prokuroria ta publikojë një dokument, për të cilin thotë se ia ka rrezikuar jetën familjes së tij.

“Përgjigjet i kam dhënë 2019, i qëndroj prapa. Pa u shqyrtuar ky dokument unë nuk flas. Unë do të flas pas shqyrtimit të këtij problemi tim, pasi ka rrezikuar nderin tim kombëtar, dhe familjen time 10-anëtarëshe. Do t’i dëgjoni të gjitha përgjigjet, pas shqyrtimit të këtij problemi”, ka thënë dëshmitari Tara.

Ai  ka quajtur kriminelë, ata të cilët e kanë intervistuar në vitin 2019.

“E kam bërë se unë jam në gjendje të përgjigjem në çdo pyetje, por hapjes së këtij dokumenti. Se çka kanë bërë ish-hetuesit e mi, që unë i quaj kriminelë hetues. Më kanë shpallur tradhtarë të kombit me një dokument që nuk e kam lexuar, nënshkruar dhe kurrë nuk është më paraqitur”, ka deklaruar  Tara.

Ai ka thënë së nuk flet më dhe të mos i bëhen pyetje. “Dua dokumentin që të bëhet i ditur për popullin tim se çka po punohet në këtë gjykatë”, ka këkruar  Tara. Pasi një dokument u publikua, ai ka thënë se është mashtruar dhe nuk është lojë.

“Ma keni ndërruar dokumentin, nuk është ai që kam lexuar. Dokumenti është nënshkruar prej intervistuesve të mi, pa dijeninë time, pa më njoftuar. Nuk i besoj kësaj Gjykate. Këtë dokument keni provuar ta ndryshoni. Nuk i besoj asgjë më kësaj Gjykate, nuk flas asgjë. Më kanë paraqitur si tradhtarë të Kosovës, ky është dokument që kurrë nuk ma keni paraqitur. Nuk ma keni dhënë as numrin, dhe kam dyshuar se ky dokument është humbur, nëse nuk paraqitet para meje. Nuk jam këtu lojë, kam bërë luftë çlirimtare për popullin tim. Nuk kam lojë, nuk i frikësohem askujt”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, gjyqtari Smith e paralajmëroi për masat nësë ai refuzon të flas.

“Nëse ti refuzon, ka procedura të tjera, dhe kështu të pranohet edhe ai dokumenti. Është në favorin tuaj, të vazhdojmë me pyetjet dhe ta diskutojmë dokumentin për të cilin keni shqetësime. Nëse ti refuzon të përgjigjesh, atë dokument do ta pranojë trupi gjykues pa komentuar ti”, tha gjyqtari Smith.

Ish-komandanti i UÇK-së, Ismet Tara nis dëshminë në Hagë

Ish-komandanti i UÇK-së në Rahovec, Ismet Tara, ka nisur dëshminë në rastin më të madh në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Dëshmitari  i cili gjatë luftës kishte nofkën “Komandant Hoxha”, është i 123-ti në listën e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS). Ai po merret në pyetje nga Prokurorja Vega Iodice.

Pasi bëri betimin, dëshmitari ka thënë se dëshiron të shpreh shqetësimet e tij lidhur me parregullsitë në këtë gjykatë.  “Dua të shpreh shqetësimet e mija në bazë të asaj që kam gjetur parregullsi në këtë gjykatë pastaj të flas”, ka thënë ai.

Atij iu ndërpre mikrofoni nga kryegjyqtari duke i sqaruar që pasi të përfundojnë pyetjet dhe dëshmia e tij, atëherë ai mund t’i ngre shqetësimet e tij.

Ndërsa, në pyetjet e prokurores, Vega Iodice, ai ka thënë është ish-ushtar i Jugosllavisë në Sarajevë.

“Kam qenë ish-ushtarë i Jugosllavisë në vitin 83-84 në Sarajevë”, ka deklaruar ai.

Sipas kryegjyqtarit, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth 3 ditë. Prokuroria ka parashikuar rrethe 6 orë ndërsa ekipet e mbrojtjes rreth 8 orë e gjysmë për kundërpyetjet e veta.

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seanca e këtij procesi gjyqësor pritet të nis sot në orën 9:00.

Prokurori James Pace javën që lamë pas ka njoftuar se për këtë javë janë dy dëshmitarë për të dëshmuar. Ai ka theksuar se për mars e kanë një dëshmitar që do ta thërrasin. Kurse, shtoi se do të japin përditësime për dëshmitarët të tjerë që janë planifikuar për mars sapo të kenë përditësimet ata vetë.

Ndërkohë më 4 prill pritet të përfundojnë dëshmitarët e Prokurorisë, në rastin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Kjo është bërë e ditur në konferencën e sotme në Gjykatën Speciale. Prokurorët thanë se kanë mbetur edhe 20 dëshmitarë, por që jo të gjithë do të dëshmojnë në Gjykatë.

“4 prill është data e fundit e parashikuar. Nuk do thërrasim asnjë dëshmitar pas kësaj date. Brenda 15 prillit do të dorëzojmë mocionet e fundit me shkrim, provat jo-gojore. Kjo është data që planifikojmë. Nuk do kemi dëshmitarë tjerë pas datës 4 prill”, ka theksuar prokurori Matt Halling.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale