Konjufca: Qerkini – zë i dinjitetit, mishëronte dhimbjen në forcë
M.P. / RTKlive
Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nëpërmjet një telegrami ka ngushëlluar familjen Qerkini, për vdekjen e familjarit dhe veprimtarit në çështjen e të zhdukurve gjatë periudhës së luftës, Bajram Qerkini.
“Ai ishte një veprimtar me kontribut shumë të madh në çështjen e të zhdukurve gjatë periudhës së luftës. Si baba i një biri të zhdukur me dhunë nga Serbia, ai dhimbjen e bëri vullnet për t’u angazhuar e për të punuar deri në fund në përpjekjen për të zbardhur fatin e atyre që u zhdukën nga aparati kriminal i Serbisë“, theksoi kryekuvendari.
Konjufca ka thënë në telegram se Qerkini ishte zë i dinjtetit, një figurë që mishëronte dhimbjen të bërë forcë dhe përpjekje të pandalshme.
"Bajram Qerkini ishte zë i dinjtetit, një figurë që mishëronte dhimbjen tonë të bërë forcë dhe përpjekje të pandalshme. Ngushëllime të sinqerta për ju e nderuar familje, që humbët të dashurin tuaj, por edhe gjithë Kosovës që humbi një njeri të pathyeshëm, puna e të cilit do të vazhdojë në gjurmët që ai i la pas“, thuhet në telegram.
Kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini vdiq sot, teksa lajmin e ka bërë të ditur familja e tij përmes një njoftimi në Facebook. Varrimi i të ndjerit do të bëhet ditën e martë, në orën 12:00, në varrezat e qytetit në Shipol të Mitrovicës.























