Procesi zgjedhor në Gjermani – model për Kosovën (VIDEO)
M.Pasoma / RTKlive
Njohës të zhvillimeve politike e kanë cilësuar procesin zgjedhor në Gjermani si shembull për Kosovën, duke përfshirë daljen e shumtë të qytetarëve për të votuar, kulturën e komunikimit politik dhe transparencën institucionale për rezultatet.
Gazetari i Deutsche Welle, Bahri Cani, në Analizën Zgjedhore në RTK ka njoftuar se 84% e qytetarëve në Gjermani kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.
"Nuk pres kurrfarë ndryshimi në aspektin e Kosovës, përkundrazi pres mbështetje edhe më të fuqishme për shkak se në të dyja partitë CDU dhe CSU, kemi politikanë që janë shumë ngushtë të lidhur me Kosovën dhe kanë pasur gjithmonë qëndrime në mbrojtje të pavarësisë dhe forcimit të saj. Gjermania me siguri do të insistojë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, do të insistojë edhe për realizimin e projekteve gjermano-franceze“, ka thënë Cani për RTK-në.
Gazetari Muhamet Hajrullahu ka thënë se kultura e komunikimit politik në Gjermani është për t'u vlerësuar, duke marrë për shembull ballafaqimin e politikanëve, duke përfshirë humbësit dhe fituesit, në një debat televiziv menjëherë pas shpalljes së rezultateve.
"Si është i mundshëm që edhe humbësit, edhe ata që s'janë pajtuar, të dalin me një diskutim menjëherë pas rezultateve të zgjedhjeve. Ne nuk e pamë këtë te ne as gjatë fushatës, e lëre më pas fushatës. Ne pamë akuza dhe kundërakuza, ndërkaq atje pamë diskutim thelbësor“, tha ai për RTK-në.
Analistja Besa Luzha tha se heshtja e politikanëve vendor pas zgjedhjeve të 9 shkurtit nënkupton që ata nuk po lënë anash kalkulimet politike për të mirën e vendit.
"Ata s'po e kuptojnë që nëse ata bashkëpunojnë dhe e ndajnë pushtetin, e ndajnë edhe barrën e vendimeve që do të marrin gjatë këtij procesi“, ka thënë Luzha, duke përmendur dialogun dhe krijimin e Asociacionit.
"Gjermanët bëjnë garë e fushatë. Në mbyllje të vendvotimeve ulen e komunikojnë. Fatkeqësisht kjo s'është te ne, ne s'mund të bëjmë krahasim me Gjermaninë sepse jemi demokraci në tranzicion. Por një minimum do të duhej të gjendej për interes të Kosovës. Fakti që politikanët heshtin tash e disa ditë nënkupton bëjmë llogari, shohim kush kujt çfarë do t'i ofroj“, ka thënë politologu Melazim Koci, duke ngritur paralele mes praktikës vendore.























