Kosova dhe vendet evropiane qëndrojnë përkrah Ukrainës
B. H. | RTKlive
Nën organizimin e Bashkimit Evropian dhe ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar është mbajtur sot në Prishtinë ceremonia e shënimin të 3-vjetorit të agresionit në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës.
E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila riafirmoi mbështetjen e Kosovës për Ukrainën dhe popullin e saj në përpjekjen për liri dhe sovranitet.
“Ne i kemi dhënë Ukrainës gjithçka që kemi mundur t’i japim, duke e ditur se fitorja e Ukrainës është fitorja jonë dhe humbja e Ukrainës është humbja jonë. Ditët e ardhshme do të formësojnë jo vetëm të ardhmen e Ukrainës, por ndoshta edhe të ardhmen e të gjithë neve që besojmë në një botë ku paqja triumfon ndaj luftës, ku liria triumfon ndaj frikës dhe ku jeta triumfon ndaj vdekjes”, tha Osmani.
Ndërkaq, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, tha se lufta në Ukrainë ka rëndësi të madhe për sigurinë e Evropës.
“E ardhmja e sigurisë së kontinentit tonë dhe e rregullit ndërkombëtar është në rrezik sepse Rusia mund të mos ndalet aty nëse Ukraina do të dorëzohet”, tha Guerot, duke siguruar se do të vazhdojë mbështetja për Ukrainën financiarisht dhe ushtarakisht.
Ai tutje tha se vendet e BE-së duan paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë dhe jo një armëpushim të brishtë.
Pas fjalimeve të presidentes Vjosa Osmani dhe ambasadorit francez Olivier Guérot, të pranishmit kanë ndjekur dokumentarin fitues të çmimeve “Intercepted”.
Ndërkohë, Zyra e BE-së në Kosovë përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se qëndrojnë të bashkuar në mbështetjen për Ukrainën!
“Në këtë përvjetor të zymtë, ne përsërisim se BE do të vazhdojë në këtë rrugë për ta vendosur Ukrainën në një pozitë force. Ne do të qëndrojmë në krah të Ukrainës për aq kohë sa i duhet Ukrainës”, ka shkruar Zyra e BE-së.























