Kurti: Qytetarët presin nga ne formimin e institucioneve
B.H./RTKlive
(Plotësuar 9:40) Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të ekzekutivit ka kërkuar nga kabineti qeveritar që të vazhdojnë punën me ritëm të njëjtë, derisa ka thënë se si fitues të zgjedhjeve të 9 shkurtit qytetarët presin sa më parë të përmbushin obligimin që u takon për krijimin e institucioneve.
“Kemi hyrë në fazën finale të procesit të numërimit të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit. Sot fillon numërimi i votave të diasporës, sipas njoftimeve të KQZ-së, më së largu deri në javën tjetër pritet të kemi rezultatet përfundimtare për subjektet politike. Si fitues të qartë të këtyre zgjedhjeve nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e nëntë. Deri atëherë nga ju kabinet qeveritar pres që të vazhdoni punën dhe punët e mira me po të njëjtin ritëm”, ka theksuar Kurti.
Tutje kryeministri ka thënë se të gjithë presim nga KQZ edhe më shumë angazhim për përfundimin e procesit të numërimit.
“Presim kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votuesve, për të përmbyllur kësisoj një proces zgjedhor të lirë, të rregullt, të ndershëm e demokratik, me pjesëmarrje masive të qytetarëve, për çfarë falënderoj secilën dhe secilin. Pjesëmarrje më të lartë ndonjëherë në zgjedhje pati edhe diaspora jonë, e cila për herë të parë përveç votimit me postë pati mundësinë të votojë edhe në ambasadat dhe konsullatat tona”, shtoi ai, duke i falënderuar bashkatdhetarët që morën pjesë në këto zgjedhje, qoftë përmes votimit nga jashtë, qoftë përmes udhëtimit në Kosovë për të votuar, sipas tij, duke u bërë ashtu siç janë pjesë e pandashme e vendimmarrjes në vendin tonë.
Ai tutje ka folur edhe për lehtësirat që si kabinet qeveritar kanë bërë për bashkatdhetarët tanë.
“Një prej lehtësimeve më të mëdha është njohja e patentë-shoferëve të Kosovës nga vendet ku ata jetojnë dhe punojnë. Kjo përveçse ul shpenzimet dhe kursen kohën, mundëson integrimin më të shpejtë në tregun e punës”, tha Kurti.
Ai tha se fillimisht ishte Gjermania ajo që i njohu patentë-shoferët tanë dhe nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, nga prilli i vitit 2023, rreth 30 mijë bashkatdhetarë kanë konvertuar patent-shoferët nëpërmjet kësaj marrëveshje.
“Nga muaji i kaluar ka hyrë në fuqi marrëveshja me Italinë për njohjen e patentë-shoferëve. Ndërkaq, nga muaji i ardhshëm, siç ka njoftuar edhe Ambasada jonë në Austri hyn në fuqi ndryshimi i Rregullores zbatuese të Ligjit të patentës së shoferëve në Austri, gjë që lehtëson procedurën e konvertimit të saj për shtetasit e Republikës së Kosovës”, nënvizoi kryeministri.
Ai tha se në proces të finalizimit të njohjes së ndërsjellë të patentë-shoferëve janë edhe me Kanadanë dhe Turqinë.
Mblidhet Qeveria në detyrë, 14 pika në rend dite
Qeveria në detyrë do të zhvilloi sot mbledhje, duke filluar nga ora 09:00. Në rend dite janë 14 pika, ku shumica janë propozime të Ministrisë së Drejtësisë.
Një prej pikave është edhe për kërkesat për shpronësime për nevoja të institucioneve qendrore.























