Konkursi Ndërkombëtar për Pianistët e Rinjtë në Tiranë
Sh.G. / RTKlive
Shoqata "Frederik Shopen" e Shqipërisë, në kuadër të 30-vjetorit të krijimit të saj dhe 215-vjetorit të lindjes së kompozitorit dhe pianistit virtuoz, organizon për herë të parë në vend Konkursin Ndërkombëtar për Pianistët e Rinjtë.
Ky organizim do të mbahet në datat 1 deri më 6 mars e ku “J’adore Chopin” do të sjell në Tiranë rreth 100 pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Kroacia, Italia, Gjermania, Polonia e deri Gjeorgjia dhe Japonia.
Përmes një njoftimi nga kjo shoqatë kanë bërë të ditur se mes konkurentëve në këtë aktivitet ka edhe fitues të garave të tjera muzikore ndërkombëtare.
“Konkursi përfshin disa kategori: fëmijët e të rinjtë, që mësojnë pianon për formim kulturor, të rinjtë, që aspirojnë karrierën pianistike, fillestarët e deri të rinjtë në vitet e para pas përfundimit të studimeve të larta. Në konceptimin e këtij Konkursi në plan të parë është krijimtaria e shkëlqyer e F.Shopenit, që do të vlerësohet sivjet më shumë se kurrë. Një pjesë nga Shopen është një pikë e detyrueshme vlerësimi për të gjithë pjesëmarrësit nga të gjitha vendet. Nga ana tjetër, po kaq detyrues është edhe interpretimi i një pjese pianistike shqiptare, që promovon prurjet tona dhe njohjen e tyre jashtë vendit. Juria përbëhet nga 6 personalitete të muzikës, 5 prej të cilëve të huaj si dhe maestro Zhani Ciko. Mbrëmja finale e ndarjes së çmimeve do të shoqërohet nga Orkestra Simfonike e RTSh-së në skenën në TKOB. Një koncert unik mirënjohjeje dhe mbështetjeje mund të konsiderohet ai i jurisë për publikun”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq juria përbëhet nga 6 personalitete të muzikës, 5 prej të cilëve të huaj si dhe maestro Zhani Ciko.
Disa nga çmimet që do të ndahenë janë këto:
Për secilën nga 4 kategoritë në garë do të jepen 3 çmime, të cilat edhe mund të ndahen në dy muzikantë, përveç çmimit të parë, që është vetëm një.
Çmimet e para do të garojnë për trofeun e madh të Konkursit “Jadore Chopin”.
Të kualifikuarit e turit të parë do të mund të interpretojnë me orkestër.
Dy çmime speciale do të akordohen në këtë aktivitet:
-Interpretimi më i mirë i Shopenit nga një pianist shqiptar, akorduar nga Ambasada Polake në Tiranë.
-interpretimi më i mirë i një vepre shqiptare nga një pianist i huaj, akorduar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.























