Dodik dënohet me 1 vit burgim dhe 6 vjet ndalesë të veprimtarisë politike
B. H. | RTKlive
Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës e dënoi Millorad Dodikun me një vit burg, si dhe ndalimin e mbajtjes së detyrës së presidentit të Republikës Sërpska për gjashtë vjet, nga data kur vendimi bëhet i formës së prerë.
Ndërkohë, gjykata e ka liruar ushtruesin e detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës Srpska, Millosh Lukiq nga të gjitha akuzat.
Ky është një vendim i shkallës së parë që mund të apelohet.
Duke folur pas shpalljes së vendimit, Dodik tha: "Ata thonë se jam fajtor. Nuk ka arsye për t'u shqetësuar".
Pak pas marrjes së vendimit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thirrur seancë urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë për sot në orën 17:00.
Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshme dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, të cilat më parë ishin shfuqizuar nga Përfaqësuesi i Lartë.
Bëhet fjalë për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, dhe moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republika Sërpskas.
Llukiq akuzohej për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve në Gazetën Zyrtare të Republikës Sërpska.
Kodi Penal i Bosnje-Hercegovinës për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë parashikon dënim me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe mundësinë e shkarkimit nga detyra të një individi dhe ndalimin e veprimtarisë politike.























