Zhvillimet gjeopolitike shihen me ndikim në pozitën e Kosovës
BKT
Lajme

Zhvillimet gjeopolitike shihen me ndikim në pozitën e Kosovës

M.P. / RTKlive

Zhvillimet gjeopolitike në rajon si ndikues i drejtpërdrejtë në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës dhe situata e krijuar me ndërtimin e qeverisë së re kanë qenë kryefjalë e diskutimit në Debatin Zgjedhor në RTK.

Politologu Melazim Koci ka thënë se me ndryshimin e pozicioneve në dialog, Kosova pritet të mos ketë pozitën e njëjtë.

“Nëse dialogu deri më tani ka qenë i zhvilluar në kuadër të strukturave euro – atlantike, tash me fillimin e bisedimeve amerikano – ruse, nuk do të them se do të del nga konteksti, por në një fazë më të vonshme s’e përjashtoj mundësinë kjo çështje të diskutohet Washington – Moskë”, ka thënë ai.

Profesori Besfort Rrecaj duke folur për pozicionin e Kosovës në raportet ndërkombëtare, tha se vendi ynë nuk është në fokus kryesor, pas luftës së Ukrainës dhe problemeve të tjera globale.

“Për herë të parë gjatë kësaj periudhe nuk kemi ambasador të SHBA-ve në Kosovë. Nuk ka as në Serbi dhe në disa vende të rajonit. Administrata e re Trump delegon njerëz të rinj, por ajo që mund të them është se është problematike që ne kemi parë një BE të lënë anash totalisht për krijimin e një paqe të ndërmarrë nga SHBA mes Ukrainës dhe Rusisë. Kjo është një pro aktivitet amerikan, pastaj çështjet tjera”, ka thënë gazetari Muhamet Hajrullahu.

Ndërkaq në rrafshin e kontekstit vendor, Fatime Hajdari teksa ka folur për krijimin e qeverisë së re, ka potencuar rëndësinë e stabilitetit institucional.

“Nuk e di a na garantojnë stabilitet numrat, sepse nuk janë kriter vetëm ato. Ne e kemi pasur atë rastin e koalicionit LDK dhe VV, ku pas 54 ditësh kemi pasur rënien e qeverisë. Edhe në rastin kur kanë pasur numra mjaftueshëm për të funksionuar, ata vendosën ta rrëzojnë qeverinë në mes të pandemisë”, ka thënë Fatime Hajdari.


MË SHUME NGA Lajme