Premiera e dramës "Menaxheria e Qelqtë" në Teatrin e Mitrovicës
Sh.G. / RTKlive
Sot në teatrin e Mitrovicës “Muharrem Qena” do të jepet premiera e dramës "Menaxheria e Qelqtë" nga Tennessee Williams. Premiera e kësaj shfaqjeje do të realizohet në orën 19:00.
Në emisionin e mëngjesit në RTK, ishin të ftuar regjisori i shfaqjes, Ilir Bokshi, dhe aktori Eshref Durmishi, të cilët ndanë detaje rreth kësaj drame.
“Teksti është një dramë e ndjeshme, edhe pse është shkruar 100 vjet më herët, prapë kisha nevojë t’i kthehesha natyralizmit në teatër, sepse, për të thënë të drejtën, pak po e bëjmë këtë sot. Tennessee Williams është një nga autorët e nivelit të Çehovit, Ibsenit e të tjerë autorë të shquar në dramaturgjinë botërore”, tha Bokshi.
Ndërkaq, aktori Durmishi shprehu emocionet e tij për rolin.
“Jam i lumtur që regjisori ma ka besuar këtë rol me shumë peshë. A e kemi bërë si duhet, mbetet të shihet dhe vlerësohet nga publiku. Unë po shpresoj që kemi arritur të realizojmë diçka të mirë dhe të japim atë ndjesi të natyralitetit të tekstit", tha ai
Producent i kësaj shfaqjeje është Sabit Sheremeti, regjisor Ilir Bokshi, ndërsa aktorët janë: Irena Aliu, Eshref Durmishi, Qendresa Kajtazi dhe Mehmet Preteni.























