Ambasadori Orav viziton RTK-në: Krenar me projektet e jetësuara|Video
BKT
Lajme

Ambasadori Orav viziton RTK-në: Krenar me projektet e jetësuara|Video

Arbana Hajredinaj /RTK

Në Radio Televizionin e Kosovës sot ishte për vizitë një delegacion nga BE në Kosovë. Ambasadori i BE-së në Kosove dhe Udhëheqësja rajonale e Institutit Goethe, u ndanë të kënaqur me zhvillimet që po bëhen në RTK.

Ata vizituan mjediset ku po marrin formën finale dy studio për të rinj dhe për fëmijë dhe studio për emisionin RTK GREEN. Ambasadori Avio Orav u shpreh i kënaqur me projektet e realizuara me theks të veçantë për minidhomën e re të kontrollit të programeve.

 “Jam shumë krenar që projekti i financuar nga BE-ja është në fazën përfundimtare. Kështu që BE-ja ka financuar këtu në transmetuesin publik ndërtimin e mini dhomës së re të kontrollit të programeve dhe më pas dy studio për të rinj, fëmijë dhe programe mjedisore”, ka thënë ambasadori Orav.

“Përmes fondeve tona RTK pati mundësinë të rinovojë studiot, për realizimin e emisioneve të reja. Objektivi i këtij programi është të rrisë vetëdijen e brezit të ri të Kosovës për çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, drejtësinë si dhe çështjet mjedisore”, ka thënë, Georgia Trismpioti, udhëheqëse rajonale nga Instituti Goethe.

Kurse, drejtori i Televizionit të Kosovës,Rilind Gërvalla, tha se nëpërmes Institutit Goethe dhe DW, janë zbatuar disa grante të BE-së.

“Në fakt kemi implementuar disa grante të BE të cilat kanë qenë të nëpërmes Institutit Goethe dhe DW, dy emisione për të rinj dhe fëmijë do të fillojnë shumë shpejt dhe emisioni i vetëm në Kosovë që trajton politikat e mjedisit dhe politikat e gjelbërta RTK GREEN do ta ketë studion e re”, ka thënë Gërvalla.

Gjithashtu, ata vizituan edhe mjedise tjera të RTK-së me dëshirën për të vazhduar me projekte tjera në të ardhmen.


MË SHUME NGA Lajme