“FemFest” nis edicionin e katërt në Tiranë
BKT
Kulturë

“FemFest” nis edicionin e katërt në Tiranë

Sh.G / RTKlive

Festivali “FemFest” që sjell një seri aktivitetesh, me shfaqje dhe diskutime, do të nisë sot edicionin e katërt në Tiranë. Këtë edicion, debati e diskutimet kanë në fokus gruan me moton ‘Solidariteti’.

"FemFest", tashmë në edicionin e 4-të të tij, është një festival i dedikuar për fuqizimin e gruas me qëllim të ndërgjegjësimit të publikut për çështjet themelore si barazia mes gjinive dhe të drejtat e grave. Tema e këtij edicioni është solidariteti, një vlerë thelbësore në luftën kundër dhunës ndaj grave.

Iliriana Basha, themeluese e festivalit “FemFest”, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” dha detaje rreth këtij aktiviteti.

“’FemFest’ është një festival si motër, pasi që kam parë diçka të ngjashme para 20 vjetëve edhe në Sarajevë dhe diçka të ngjashme ka edhe në Kosovë. Ne të gjithë e kemi për qëllim që t’i mbledhim gratë dhe burrat artistë për të bërë promovimin e artit, artisteve të reja dhe japim edhe mesazhe”, tha Basha.

Ajo theksoi se gjatë këtyre ditëve të festivalit do të mundohen të bëjnë një punë sa më të mirë. “Këtë vit moton e kemi ‘Solidariteti’ sepse duke parë gjithë këtë negativitet që po na rrethon në kohët e fundit, kemi shumë nevojë për njëri-tjetrin dhe që ta përkrahim njëri-tjetrin. Të tregojmë që jemi këtu dhe jemi bashkë, siç thotë një legjendë, që vetëm bashkë mund t’ia dalim në të gjitha sfidat që i sjell jeta”, shtoi Basha.

Ajo bëri të ditur se gjatë këtij festivali të pranishmit do të mund të ndjekin një përzierje të teatrit dhe muzikës, që përfshin epoka të ndryshme dhe shtron pyetje ende aktuale, për të treguar historinë e guximit femëror në histori. Aktivitetet e ‘FemFest’ do të zhvillohen në Tulla Center në Tiranë.


MË SHUME NGA Kulturë