Tym e flakë në Kuvendin e Serbisë |VIDEO
Anamari Repiq/RTK-Beograd
Seanca e Kuvendit të Serbisë u shndërrua në kaos pasi deputetët e opozitës hodhën mjete piroteknike, duke ndërprerë punimet. Pasuan përleshje fizike mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës.
Incidenti ndodhi pasi shumica parlamentare miratoi rendin e ditës pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, e cila kërkon debat vetëm për protestat studentore dhe dorëheqjen e kryeministrit Milosh Vuçeviq.
Kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiq, tha se një deputete ka pësuar sulm në tru dhe dy të tjera janë lënduar. Pavarësisht incidenteve, ajo vazhdoi seancën, ndërsa opozita pengoi seancën me fishkëllima dhe vuvuzela. Pushteti e dënoi ashpër opozitën, duke e akuzuar për përpjekje për destabilizim me metoda të dhunshme.
"Qytetarët sot panë se çfarë përfaqëson opozita – dhunë, kaos dhe papërgjegjësi. Në rendin e ditës ishte edhe kërkesa e katërt e studentëve, por opozita refuzoi ta diskutonte. Në vend të kësaj, ata e kthyen Kuvendin në një fushë beteje", tha Milenko Jovanov nga Partia Progresive Serbe.
Opozita këmbëngul se parlamenti nuk mund të funksionojë normalisht pa u miratuar kërkesat e studentëve dhe konfirmuar dorëheqjen e kryeministrit.
"Kur kërkuam ndryshimin e rendit të ditës, pushteti e refuzoi dhe vazhdoi bllokimin e Kuvendit. Kryetarja e ka diskredituar këtë institucion dhe ne donim ta ndalonim këtë. Parlamenti është kthyer në shërbëtor të ekzekutivit, dhe atë të një qeverie që tashmë ka rënë. Kjo është e papranueshme", tha Biljana Gjorgjeviq nga Fronti i Gjelbër i Majtë.
Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, përdori edhe gjuhë urryese kundër shqiptarëve.
Dua t’i tregoj krejt popullit të Republikës së Serbisë që ju, përfaqësues të opozitës, jeni bërë yje të mediave të Albin Kurtit, jeni bërë ndjekës të tij. I lumtë, çfarë i bëri edhe këtij Kuvendi, edhe popullit serb në Kosovë. Nëse keni dëshiruar të bëheni yje të mediave të tij, ia keni dalë me sukses dhe urime. Besoj që nesër do t’ju vijë një ‘Faleminderit’ i madh nga ana e Albin Kurtit, për ju”, tha Bërnabiq.
Pushteti e cilëson hedhjen e bombave tymuese si akt ekstremizmi politik, ndërsa opozita thotë se është një shenjë revolte ndaj gjendjes në vend. Prokurori i shtetit ka nisur hetimet për përgjegjësinë dhe mundësinë e një vepre penale.
Përshkallëzimi vjen pas katër muajsh protestash, të nisura pas tragjedisë në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona, për çka qytetarët fajësojnë pushtetin.























