Osmani: Roli i grave në polici është kyç për forcimin e rendit dhe sigurisë
G.K/RTKlive
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Shoqata e Grave në Policinë e Kosovës (SHGPK), me mbështetje nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, organizoi konferencën “Gratë në Polici – Implementimi i Masave Transformuese Gjinore”.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
“Ne nuk mund të arrijmë barazi të plotë dhe zhvillim të qëndrueshëm pa fuqizuar gratë dhe vajzat, veçanërisht në sektorin e sigurisë", tha Osmani. Ajo lavdëroi gratë dhe vajzat në uniformë për arritjet e tyre pavarësisht sfidave dhe u angazhua për rritjen e mundësive të barabarta për to.
Kolonel Gazmend Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, konfirmoi mbështetje të vazhdueshme për SHGPK-në dhe aktivitetet e saj, duke thënë: “Menaxhmenti i Policisë së Kosovës do të vazhdojë të mbështesë nismat që promovojnë barazinë gjinore dhe të sigurojë mundësi të barabarta për të gjithë në këtë sektor”.
Cornelia Taylor, U.D. shefe e Misionit të OSBE-së në Kosovë, e vlerësoi Policinë e Kosovës për përpjekjet e saj për të avancuar barazinë gjinore dhe për të siguruar një mjedis të përfshirë për gratë. “Liderët e Policisë së Kosovës janë një forcë e vërtetë lëvizëse pas këtij transformimi”, tha ajo.
Në konferencë morën pjesë edhe Major Brahim Sadriu dhe Kolonel Elmina Mahmuti, të cilët theksuan rëndësinë e masave afirmative për barazinë gjinore dhe avancimin e karrierës së grave. “Në sektorin e sigurisë, barazia gjinore është një përpjekje e vazhdueshme dhe të gjitha përpjekjet për të krijuar mundësi të barabarta duhet të jenë pjesë e strategjive tona”, tha Major Sadriu.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu për sfidat që gratë përballen në këtë sektor dhe për reformat institucionale që janë në proces. Vlora Tuzi Nushi, Shefe e Zyrës UN Women për Kosovë, dhe Edi Gusia, nga Agjencia për Barazi Gjinore, ndanë shqetësimet dhe strategjitë për përmirësimin e barazisë gjinore në sektorin e sigurisë dhe rendit.
Një nga mesazhet kryesore të konferencës ishte nevoja për implementimin e masave transformuese, që do të mundësojnë avancimin e grave në pozita udhëheqëse dhe përfaqësimin e tyre të duhur në strukturat policore. “Duke u siguruar që gratë të kenë mundësi të barabarta, do të krijojmë një policë më të fortë dhe më të drejtë”, përfundoi Sinani Lulaj, zëvendëse e Avokatit të Popullit.























