U diplomua gjenerata e 45-të e oficerëve të Shërbimit Korrektues
Arbana Hajredinaj / RTK
Është mbajtur ceremonia solemne e diplomimit të gjeneratës së 45-të të kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Ky aktivitet pason përmbylljen e suksesshme të trajnimit bazik për 111 oficerë korrektues.
Sot diplomuan 111 kadetë të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Të pranishëm në ceremoni ishin edhe kryeministri, Albin Kurti, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Me diplomimin e gjeneratës së 45 të zyrtareve korrektues ne e forcojmë edhe më shumë sistemin tonë korrektues dhe i shtojmë radhët me profesionit të përgatitur. Ata e ato do të jenë garantues të drejtësisë dhe rregullit në institucionet tona korrektuese. Diplomimi i 111 kadetëve sot nuk është thjeshtë një ceremoni por një dëshmi e angazhimit tonë për një sistem korrektues të sigurt, të fuqishëm dhe të drejtë”, tha kryeministri Kurti.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka theksuar se me ndryshimet që janë bërë dhe hapat që kanë ndërmarrë si qeveri është shtuar dukshëm numri i grave në Shërbimin Korrektues të Kosovës.
“Ky institucion nuk është thjeshtë një hallkë në zinxhirin e drejtësisë, por një mekanizëm vendimtar për sigurinë publike, rehabilitimin e të dënuarve dhe garantimin e një sistemi korrektues që mbështetet në ligj, profesionalizëm dhe dinjitet njerëzor”, tha ministrja Haxhiu.
“Fuqizimin e rolit të grave në shërbimin korrektues, duke i mbështetur rekrutimin dhe avancimin e tyre në këtë sektor jetik të drejtësisë. Dhe vetëm brenda këtyre viteve pra, 4 viteve numri I grave që janë punësuar në Shërbimin Korrektues të Kosovës është 100”, shtoi ajo.
Për të gjithë kadetët e diplomuar u ndanë diploma.























