Maqedonci: Kosova do ta ketë mbështetjen e SHBA-ve për anëtarësim në NATO
BKT
Lajme

Maqedonci: Kosova do ta ketë mbështetjen e SHBA-ve për anëtarësim në NATO

V.S|RTKlive

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, teksa ka folur në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë ku u miratua nisma për marrëveshjen kornizë me Shtetet e Bashkuara në fushën e Mbrojtjes, tha se bashkë me SHBA-të do të ndërtojnë plane dhe do të kenë mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në NATO.

“Pra SHBA-të janë zotuar përmes kësaj marrëveshje se do të mbështesin Kosovën në aspektin teknik, procedural, drejt anëtarësimit në NATO e iniciativa regjionale”, tha ndër të tjera Maqedonci në konferencën para gazetarëve.

Ministri i Mbrojtjes tha se kjo marrëveshje është e dyta si e tillë në Republikën e Kosovës, pas asaj që kishin nënshkruar me Turqinë vitin e kaluar.

“Janë pesë pika kryesore për të cilat jemi dakorduar për bashkëpunim me SHBA. Planifikimi i mbrojtjes dhe qeverisja e mbrojtjes, pra SHBA do të mbështetë Ministrinë e Mbrojtjes për një planifikim profesional, të mirëfilltë të mbrojtjes, me synim rritjen e mbikëqyrjes civile. Menaxhimi i resurseve humane dhe menaxhimi i resurseve humane dhe atyre të mbrojtjes, gjithashtu do të jenë fusha ku do të bashkëpunojmë. Ndërtimi i kapacitete strategjike, SHBA-të do të mbështesin Kosovën në ndërtimin e kapaciteteve strategjike ushtarake duke përfshirë edhe mbrojtjen ajrore, kapacitetet ajrore edhe fushat tjera që ne po punojmë t’i ndërtojmë në fazën e tretë të tranzicionit”, tregoi tutje ai.

Sipa stij, kjo marrëveshje, parasheh edhe një element të rëndësishëm, atë të mbështetjes që do të kenë në aspektin e implementimit, atë të qëndrueshmërisë strategjike.

“Përveç mbështetjes që do t’i japin SHBA-të, ndërtimit të kapaciteteve tona ushtarake, mbrojtjes ajrore, këmbësorisë, artilerisë dhe gjithë elementëve ushtarak, do të ndihmojnë Kosovën që të ndërtojë një qëndrueshmëri kolektive edhe jashtë u ushtrisë, përmes organizimit të qytetarëve dhe strukturave tjera shtetërore”, bëri të ditur ai detajet e marrëveshjes.

Tha se vazhdojnë të ndërtojnë kapacitetet ushtarake të Kosovës, e sistemin e gjithëmbarshëm, si dhe po vazhdojnë të kontribuojnë për paqen e sigurinë në botë.

“Po vazhdojmë edhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, me hapa më të përshpejtuar që vendi jonë të ketë vetë qëndrueshmëri të kapaciteteve të mbrojtjes”, tha Maqedonci.

Ai ka treguar për një iniciativë që e quajti të veçantë, mes Kosovës, Shqipërisë e Kroacisë.

“Gjatë javës së ardhshme do të kemi një ngjarje të veçantë që do të realizohet në Shqipëri, një iniciative regjionale e cila do të formohet pikërisht javën e ardhshme dhe detajet do të bëhen të ditura ditët në vazhdim, për çka është punuar pothuajse një vit bashke me Kroacinë e Shqipërinë dhe shënon një iniciativë të tillë të parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tregoi ai.

Maqedonci: Ne kemi mbështetjen e SHBA-ve për blerjen e helikopterëve

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se e kanë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen e helikopterëve, e po ashtu sipas tij, edhe për blerjen e shumë sistemeve të tjera që do t’i ketë FSK-ja, në kuadër të fazës së tretë të tranzicionit.

Madje, ai u tregoi gazetarëve se gjatë vizitës që kishte në Uashington në janarin e këtij viti, bashkë me komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari, kishin vizituar edhe fabrikën e helikopterëve ku kishin diskutuar në detaje rreth mundësive procedurale për blerjen e tyre.

“Marrëveshja adreson çështjen e kapaciteteve ajrore, pra ndërtimin e flotës së helikopterëve që është një kapacitet që është planifikuar të ngritët në FSK. Për këtë çështje, kemi pasur takime të rëndësishme gjatë vizitës që kemi pasur me komandantin e FSK-së në Uashington. Kemi qenë në fabrikën e helikopterëve, ku kemi diskutuar edhe çështjet e detajuara rreth këtyre helikopterëve dhe mundësive procedurale për blerjen e tyre. Ne, kemi mbështetjen e SHBA-ve për blerjen e helikopterëve, siç kemi edhe mbështetjen për blerjen e shumë sistemeve të tjera që do t’i kemi në FSK në kuadër të fazës së tretë të tranzicionit që parasheh ndërtimin e këtyre kapaciteteve”, tha ai.

Ai, ka treguar se aktualisht po ekzekutohen pagesat për sistemin anti-tank “Javelin” e tha se po bëjnë përpjekje që një sasi të jetë në Kosovë qysh këtë vit.

Për deklaratën sekretarit të NATO-s, Rutte, që tha se mandati i FSK-së është si forcë humanitare, ai tha se, kjo nuk është hera e parë që NATO e KFOR-i e bëjnë të ditur se janë neutral karshi ndryshimeve kushtetuese të vitit 2018.

Sa i përket pranisë së trupave amerikane në Kosovë, Maqedonci, tha se vazhdojnë të kenë konfirmim që ushtria amerikane do të jetë prezent në kuadër të KFOR-it, e përveç kësaj, tha se janë të interesuar për prezencë ushtarake amerikane edhe jashtë mandatit të KFOR-it, në aspektin bilateral.


MË SHUME NGA Lajme