Halili: Kinematografia në Kosovë është duke shkuar në hapa shumë të mirë
BKT
Kulturë

Halili: Kinematografia në Kosovë është duke shkuar në hapa shumë të mirë

K. K. / RTKlive

Hapja e Institutit të Filmit në Kosovë do t’u japë mundësi më të madhe regjisorëve dhe kineastëve për zhvillim të karrierës së tyre. Trëndelina Halili, themeluese e Institutit të Filmit, regjisore, theksoi se kinemaja e Kosovës po shkon hapave të mirë.

Halili në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK tha se në Kosovë duhet të ketë edhe burime të tjera për të nxjerrë talentë të rinj të filmit”.

Sipas saj, këtë institut do të synojnë ta bëjnë sa më të qasshëm dhe të ofrojnë një mundësi më të madhe për të depërtuar sa më lehtë në industrinë e filmit.

“Ne çdo vit jemi duke marrë pjesë në festivale të ndryshme. Ne si institut do të ofrojmë ndihmë si të depërtohet nëpër festivale të ndryshme”, tregoi ajo. 

Ndër të tjera, ajo tha se kinematografia në Kosovë është duke shkuar në hapa shumë të mirë, por prapë ka burime të limituara për t’u zhvilluar profesionalisht në aspektin kinematografik.

”Prandaj e kemi bërë këtë institut, i cili do t’i ndihmojë kineastët për zhvillim profesional, duke u ofruar edukim joformal”, tha ajo.

Po ashtu, ajo tha se qëllim kanë pasur të krijojnë një hapësirë në të cilën regjisorët, skenaristët në krejt aspektet e filmit, të kenë qasje në ligjërata publike në masterklasë, në trajnime e që, sipas saj, instituti do të shërbejë edhe si laborator, për t’u mundësuar regjisorëve mentorim në hapat e tyre të krijimtarisë.

“Eventi i parë i organizuar nga Instituti është me Maeve Murphy, një regjisore irlandeze, e cila ka një karrierë shumë të gjatë në filmbërje.  E kemi sjellë vetë regjisoren. Ajo do të flasë për realizimin e filmit. Nesër nga ora 19:00 në ‘Kino Armata’ do të shfaqet ekskluzivisht filmi i saj i parë ‘Irish Time’, kurse mastreklasa është të shtunën në orën 14:00”, pohoi Halili.


MË SHUME NGA Kulturë