Përfundon vizitën te babai i sëmurë, Thaçi largohet nga QKUK-ja
V.S&E.O|RTK
(E përditësuar ora 14:35) Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përfunduar vizitën te babi i tij në QKUK. Ai është larguar nga klinika ku prej disa javësh po qëndron i shtrirë babai i tij.
Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i cili qëndroi mbi tri orë për vizitë tek babai i tij i sëmurë i shtrirë në Klinikën Interne të QKUK-së, ka dalë nga kjo klinikë, derisa jashtë është pritur me brohoritje të shumta nga ata që ishin mbledhur për ta parë nga larg.
Thaçi i ka përshëndetur ata, duke e ngritur dorën lartë.
Gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në këtë klinikë, jashtë, në oborrin e QKUK-së kanë qëndruar forca të shumta të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
Gjykata Speciale sot i ka lejuar Hashim Thaçit një vizitë humanitare në Kosovë, për të parë babanë e tij, i cili është në një gjendje të rëndë shëndetësore.
Ish-presidenti Thaçi ende në QKUK, oborri plot forca të policisë
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po vazhdon të qëndrojë për vizitë te babai i tij, i cili gjendet i shtrirë në Klinikën Interne të QKUK-së. Jashtë klinikës, janë mbledhur familjarë e ish- bashkëpartiakë të Thaçit, të cilët po presin ta shohin atë pasi të dalë nga klinika.
Ndërkohë, forca të shumta të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it janë prezent në oborrin e QKUK-së.
Ish-presidenti Hashim Thaçi arrin në Kosovë, viziton babanë në QKUK
Ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, i është aprovuar kërkesa nga Gjykata Speciale për ta vizituar babanë e tij të sëmurë. Ai ka arritur në Prishtinë dhe është në vizitë te babai i tij, në QKUK, derisa është nën përcjellje të forcave të shumta të sigurisë.
Aprovimi i kërkesës së tij u bë pas refuzimeve të mëhershme të speciales, të cilët kishin vlerësuar se gjenda shëndetësore e babit të tij nuk ishte e rëndë.
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle, në një përgjigje për RTKlive tha se vizita e Thaçit në Kosovë është bërë për arsye humanitare.
“Po mund ta konfirmoj. Për arsye detyruese humanitare, Trupi Gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin që të jetë me babanë e tij. I akuzuari mbetet në paraburgim nga Dhomat e Specializuara”, thuhet në përgjigjen e tij.























