Osmani i paraqet emisarit vërejtjet për draftin e BE-së për Asociacionin
BKT
Lajme

Osmani i paraqet emisarit vërejtjet për draftin e BE-së për Asociacionin

V.S RTKlive&E.P|RTK

(E plotësuar, ora 11:45)Presidentja e Shtetit, Vjosa Osmani, në takimin e parë që zhvilloi me emisarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, i shprehu atij vërejtjet që ka për Draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga BE, vërejtje që sipas presidentes, duhet të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i funksionalitetit të shtetit të Kosovës.

Kështu ka njoftuar Presidenca e Kosovës përmes një komunikate për media që lëshuan pas takimit.

Aty thuhet se në lidhje me dialogun me Serbinë, Presidentja Osmani konfirmoi përkushtimin e Kosovës ndaj procesit të lehtësuar nga BE-ja, duke theksuar rëndësinë e një zbatimi të plotë dhe të balancuar të marrëveshjeve të arritura.

 Tutje, në këtë takim Osmani-Sorensen, u diskutua për zhvillimet politike në vend, derisa presidentja theksoi rëndësinë e stabilitetit politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 dhe nevojën konstituimit të institucioneve sa më parë, me qëllim të vazhdimit të reformave kyçe për integrimin evropian të vendit.

Sa i përket integrimit në organizata ndërkombëtare, Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, përderisa, thuhet se e para e shtetit ripotencoi shkeljet e vazhdueshme të Serbisë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, përfshirë shkeljen e nenit 4 të marrëveshjes së shkurtit 2023.

“Sipas Presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar për reformat e nevojshme dhe theksoi se, në kontekstin e dinamikave të reja gjeopolitike, Kosovës duhet t’i jepet statusi i kandidatit dhe procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor duhet të përshpejtohet, bazuar në parimin e meritokracisë. Ajo ritheksoi gjithashtu nevojën për heqjen e masave të padrejta të vendosura nga BE-ja, në qershor 2023, duke theksuar ndikimin e tyre negativ në jetën e qytetarëve të Kosovës, pa dallim si dhe dëmtimin e vet procesit të dialogut duke e bërë atë të pabalansuar”, thuhet në komunikatën presidenciale.

Sipas Osmanit, Kosova është dëshmuar tashmë si palë konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit po i dëmton jo vetëm qytetarët, por edhe balansin e nevojshëm në dialog.

Gjatë takimit, njofton Presidenca, se u diskutua roli i NATO-s, në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, krahas institucioneve të Kosovës, sikurse edhe roli i EULEX-it, në kontekstin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

Osmani: Kosova meriton trajtim të barabartë në procesin e dialogut

(E plotësuar, ora 11:20)Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, pas takimit me emisarin special të BE-së për dialogun, thotë se në takimin e parë mes tyre diskutuan për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja, sigurinë në rajon dhe integrimin evropian të Kosovës.

E para e shtetit ka thënë se Kosova është dëshmuar tashmë si pala konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj, sipas presidentes, mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit po i dëmton jo vetëm qytetarët, por edhe balansin e nevojshëm në dialog.

“Kosova meriton trajtim të barabartë në procesin e dialogut dhe në rrugën drejt BE-së. Në takim me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Peter Sørensen, diskutuam dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja, sigurinë në rajon dhe integrimin evropian të Kosovës. Kosova është dëshmuar tashmë si pala konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë por edhe balansin e nevojshëm në dialog”, ka shkruar Osmani pas takimit.

Aktualisht emisari i posaçëm i BE-së po vazhdon takimin në qeveri, në takim me kryeministrin, Albin Kurti.

Sorensen përfundon takimin me Osmanin, nis atë me Kurtin

(E plotësuar, ora 10:50) Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun, Peter Sorensen, ka përfunduar takimin rreth një orësh në Presidencën e Republikës, derisa ka vazhduar në qeveri në takim me kryeministrin, Albin Kurti.

Sorensen nis takimin me Osmanin

Emisari i ri Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen nisi vizitën e tij të parë në Kosovë si i ngarkuar i BE-së për këtë proces.

Sorensen sapo ka hyrë në presidencë në takimin e tij të parë në kuadër të kësaj vizite, me presidenten e vendit, Vjosa Osmani Sadriu.

Sorensen sot në Kosovë, takohet me Osmanin,  Kurtin e Bislimin (Ora, 06:31)

Emisari i ri Bashkimit Evropian për dialogun, danezi Peter Sorensen sot do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Kosovë si i ngarkuar i BE-së për këtë proces.

Sorensen sot do të takohet me shefen e shtetit, Vjosa Osmani në zyrën presidenciale.

Siç është bërë e ditur nga zyra e presidentes, takimi mes tyre do të nisë paraditen së hënës në ora 09:45.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Përfaqësuesin e ri të BE-së për Dialog, Peter Sørensen. Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit.

Emisari i ri Bashkimit Evropian për dialogun, danezi Peter Sorensen, në orën 10:30 do të ketë takim edhe me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Pas takimi me kryeministrin Kurti, Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, do të pritet në takim edhe nga Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi. 


MË SHUME NGA Lajme