Krasniqi: Moslejimi i Thaçit në varrim, i papranueshëm
BKT
Lajme

Krasniqi: Moslejimi i Thaçit në varrim, i papranueshëm

V.Th. RTKlive

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj refuzimit të kërkesës së ish presidentit Hashim Thaçi nga Dhomat e Specializuara për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, duke e cilësuar jo të drejtë dhe i papranueshëm.

Ai në një postim në Facebook, është shprehur se “Drejtësia që harron njeriun nuk është drejtësi!”.

“Ka dhembje që nuk maten me ligje. Humbja e një prindi është një nga ato momente ku njeriu duhet të jetë i mbrojtur nga sistemi, jo viktimë e tij”, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi tutje ka thënë se në thelbin e çdo drejtësie të ndershme qëndron jo vetëm respektimi i ligjit, por edhe njohja e nevojave dhe të drejtave themelore të njeriut; e drejtës për t’u ndarë nga ai që të solli në jetë, për ta përshëndetur për herë të fundit, për të qëndruar pranë familjes në ditën më të rëndë.

“Ajo që po ndodh sot nuk ka lidhje me drejtësi, por me diskriminim. Nuk është ligj, por arbitraritet. Nuk është siguri, por ç’njerëzi. Një Gjykatë ku drejtësia harron njeriun është një Gjykatë që ka humbur rrugën e saj.

Drejtësia pa ndjeshmëri është vetëm një mekanizëm i ftohtë, i pajetë, që nuk shërben as qytetarin, as shoqërinë. Historia nuk do të harrojë.

E dhembshme dhe e papranueshme!”, përfundon reagimin Krasniqi.


MË SHUME NGA Lajme