Në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së sot dëshmoi Naim Maloku
BKT
Gjykata Speciale

Në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së sot dëshmoi Naim Maloku

RTK

Ka rinisur në Hagë gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Në seancë nisi dëshminë Naim Maloku, dëshmitari i 124-të i Prokurorisë, i cili foli për rolin e tij në UÇK, strukturën dhe organizimin e njësive dhe kontaktin që ka pasur me anëtarët e UÇK-së.

Pas më shumë se tri javë pushim, Dhomat e Specializuara të Hagës kanë rinisur gjykimin në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në vazhdën e dëshmitarëve, pyetje iu përgjigj ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naim Maloku. Përmbledhjen e intervistimit të tij e lexoi prokurori James Pace.

“Dëshmitari W04403 ka qenë anëtar i Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. W04403 do të japë dëshmi lidhur me rolin dhe përgjegjësitë që ka pasur ai në UÇK, takimet që ka pasur ai në ‘98-ën dhe ‘99-ën, strukturën dhe organizimin e njësive të UÇK-së dhe kontaktin që ka pasur me anëtarët e UÇK-së”, ka thënë Pace.

Maloku u pyet për një libër të tij lidhur me funksionimin e UÇK-së gjatë luftës.

“UÇK ka qenë ushtri e rregullt vullnetare, prej ushtarit të parë deri te i fundit, të gjithë kanë qenë vullnetarë, s’ka qenë e mobilizuar në bazë të ligjeve të qeverisë, ministrisë së mbrojtjes, por u vetorganizua në baza vullnetarizmi", tha Maloku.

Maloku shtoi se UÇK nuk ka qenë një ushtri e trajnuar, e cila ka pasur nevojë për kyçjen sa më të shpejtë të një kuadri profesionist dhe të shkolluar për ngritjen e strukturave organizative dhe ngritjen e rezistencës efikase për çlirimin e Kosovës.

Ish-komandanti tha se luftë kishin sugjeruar që nga ushtria e Kosovës të mos vendosen mina kundër këmbësorisë, kërkesë të cilën e arsyetoi para prokurorit.

“Na nuk kemi pas mundësi t’i japim urdhër Ilir Konushevcit, por i kemi këshilluar dhe i kemi thënë që kurrë mos t’iu japë ushtarëve dhe të mos mësohen ushtarët për përdorimin dhe minimin e fushave të minave anti-këmbësori në territorin e Kosovës. Kurdo që të ndodhë ndonjë incident i tillë në të ardhmen në Kosovë, UÇK ka me qenë e liruar nga fajësia që është fajtore që një fëmijë apo një civil dëmtohet nga minat kundër këmbësorit”, ka thënë Maloku.

Intervistimi i Malokut vazhdon edhe të martën me pyetjet e mbrojtjes së të akuzuarve.

 


MË SHUME NGA Gjykata Speciale