Shtrenjtimi i rrymës, organizohen protesta para ZRRE-së
BKT
Lajme

Shtrenjtimi i rrymës, organizohen protesta para ZRRE-së

Arbana Hajredinaj /RTK

Në kuadër të Grupit organizativ ‘Asnjë cent më shumë’, u organizua një aksion para zyrave të ZRRE-së kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike për 15%. Ky shtrenjtim pritet të hyjë në fuqi më 1 prill të këtij viti.

Para hyrjes së zyrave të ZRRE-së, u mbajt një aksion kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Aty u kërkua që të mos aprovohet blloktarifa prej 15% e propozuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

“Para pak javësh na u bë e ditur se KEDS ka kërkuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ky ritual tashmë është bërë i përvitshëm, pasi në vitin 2022, KEDS kërkoi blloktarifën që shumëfishonte çmimin e rrymës deri në 200%. Pak muaj më vonë, përveç blloktarifës, KEDS përfitoi edhe subvencionim në mënyrë të tërthortë përmes Qeverisë së Kosovës,” tha Auron Doli, aktivist.

Kërkesat e KEDS-it nuk u ndalën me kaq. Dy vjet më vonë, në vitin 2024, KEDS kërkoi rishikim të tarifave, ndërkaq ZRRE pa u menduar dy herë ia aprovoi kërkesën për rritje të çmimit të energjisë për 15%.

Ndërkohë, u tha se ZRRE nuk u shërben interesave të qytetarëve dhe se qytetarët mbesin viktimat e vetme të kësaj padrejtësie të përvitshme.

“Vit pas viti, KEDS, së bashku me ZRRE-në, 'sigurojnë biletat' për 'muajin e tyre të mjaltit', ndërsa qytetarët mbesin viktimat e vetme të kësaj padrejtësie të përvitshme,” tha Doli.

Kohë më parë, tri kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë i kërkuan Rregullatorit të Energjisë rritjen e çmimit të tarifave të rrymës. Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOST), Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.


MË SHUME NGA Lajme