Shpërthim tek zyrat e Postës së Kosovës në Zveçan, reagon posta
BKT
Foto: Bardh Bekteshi
Në Fokus

Shpërthim tek zyrat e Postës së Kosovës në Zveçan, reagon posta

Sh.Ç|RTKlive

Një shpërthim ka ndodhur pas mesnate te zyrat e reja të Postës së Kosovës në Zveçan. Lajmin e ka konfirmuar policia.

Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani ka theksuar se rasti ka ndodhur rreth orës 00:30, duke shkaktuar dëme materiale.

“Persona të lënduar nuk ka. Janë shkaktuar dëme materiale, thyerje xhamash por nuk ka të lënduar”, ka thënë ai. Sipas tij, njësitet përkatëse të policisë kanë dalë në vendngjarje dhe po zhvillojnë hetimet për rastin.

Akt kriminal e ka quajtur Posta e Kosovës sulmin e ndodhur pas mesnate në zyrën postare në Zveçan. Akti është dënuar ashpër nga Posta e Kosovës derisa kanë kërkuar nga autoritetet hetim të plotë dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë. Kanë thënë se sulmi nuk i zmbrapsë në përkushtimin e tyre për të zgjeruar prezencën në gjithë vendin.

“Posta e Kosovës Sh.A. dënon ashpër këtë akt kriminal dhe kërkon nga autoritetet kompetente hetimin e plotë të rastit dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë. Ky sulm nuk na zmbrapsë në përkushtimin tonë për të ofruar shërbime cilësore dhe për të zgjeruar prezencën postare në të gjithë vendin. Njoftojmë qytetarët se në këtë qytet vazhdon të jetë funksionale edhe zyra postare Zveçan-1, e cila ndodhet në objektin e Komunës”, thuhet në reagimin e Postës së Kosovës.

Tutje ata kanë falënderuar Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe profesional. Kanë paralajmëruar se së shpejti edhe zyra postare Zveçan-2 do të rikthehet në shërbim të qytetarëve.


MË SHUME NGA Në Fokus